Ish-ministri Shatri: Ka qenë e nevojshme një fushatë së paku 3 muaj për dinarin

Aktuale

Ish-ministri Shatri: Ka qenë e nevojshme një fushatë së paku 3 muaj për dinarin

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 18:07
Haki Shatri

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri ka vlerësuar se para se të hynte në fuqi ligji që ndalon qarkullimin e dinarit, është dashur të organizohet një fushatë promovuese.

Sipas Shatrit ani pse ky vendim është i drejtë, fushata 3 apo 6 mujore ka qenë e nevojshme në mënyrë që të përgatitet terreni dhe mos të dalin pengesa.

„Çdo ligj kur aprovohet gjithmonë e ka një afat kur hyn në fuqi. Pra paraprakisht janë disa akte nënligjore derisa të aprovohen, dhe më vonë ligji hyn në fuqi me të gjithë forcën që ka sepse është përgatit opinioni e terreni, nuk ka pengesa. Një 3 muaj apo 6 muaj të bëhet një fushatë promovuese. Pa e mohu që është vendim i drejt, por për të udhëhequr politikë, për t’i nxit ata qytetarë që ta njohin realitetin e ri, ta njohim Kosovën shtet të vetin, që ky shtet nuk ua nxin jetën por ua lehtëson, ua mundëson t’i marrin ndihmat, ata mos të ndihen keq por të ndihen komod”, është shprehur ai.

Më tej, ai ka thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarr më herët duke qenë se Kosova ka synuar që të promovohet si një shtet demokratik.

“Nuk janë marr më herët veprime për t’i acaruar situatat sepse ne gjithmonë kemi synuar që Kosova të promovohet si shtet demokratik, që t’i plotësojmë kriteret për gjithë qytetarët, që janë caktuar nga bashkësia evropiane që ne të integrohemi sa më shpejt në BE”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Shatri ka theksuar se çështja e dinarit nuk duhet të diskutohet në dialogun me Serbinë, por që kjo të mos ndodhë është dashur një koordinim me ndërkombëtarët para se të merrej vendimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat