A pritet t’i bashkohen LDK-së në bashkëqeverisje në Prishtinë? Flet shefi i asamblistëve të VV-së

Aktuale

A pritet t’i bashkohen LDK-së në bashkëqeverisje në Prishtinë? Flet shefi i asamblistëve të VV-së

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 17:03
Gëzim Sveçla

Partia Demokratike e Kosovës sot zyrtarisht ka shkëputur koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

Kjo prishje e koalicionit ndodhi menjëherë pas seancës së sotme të Kuvendit Komunal ku u anulua vendimi për këmbim të pronave komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc.

E, po ashtu edhe pas shkarkimeve që ndodhën ditëve të fundit që bëri Përparim Rama ndaj partnerit qeverisës.

Tashmë, Kryetarit Rama i duhet koalicion që ta bëj shumicën në Kuvendin Komunal.

Partia e cila ka numrin më të madh të asamblistëve është ajo e Lëvizjes Vetëvendosjes.

Por, se a do të ndodhë një koalicion mes këtyre dy subjekteve politike, ka folur Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të VV-së.

Ai as nuk e ka pohuar e as nuk e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se këtë çështje do ta diskutojnë brenda partisë.

“Prishja e koalicionit ka ndodhur pas përfundimit të seancës dhe ne pasi t’i analizojmë të gjitha rrethanat e reja do të shohim se cili është interesi më i mirë për qytetarët e Prishtinës dhe do të veprojmë për shkak se jemi grupi më i madh i asamblistëve. Unë as nuk po e përjashtoj e as nuk po them që ka mundësi vetëm po them që nuk ka qëndrim zyrtar të partisë akoma për këtë çështje për shkak se ne kemi qenë në seancë e koalicioni është prish 5 minuta pas seancës”, është shprehur Sveçla.

Sveçla, ka deklaruar se gjatë këtyre ditëve do të mblidhet kryesia dhe do t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë.

“Gjatë këtyre ditëve kryesia e qendrës së Prishtinës bashkë me asamblistët do të mblidhet dhe do t’i shqyrtojnë të gjitha rrethanat”, ka pohuar ai.

Kurse, pikërisht deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajçinovci ka deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me LDK-në, duke e quajtur kryetarin Rama dështak.

Për, këtë Sveçla është shprehur se qëndrimi i tyre për kryetarin e Prishtinës është i qartë dhe se nuk dëshiron t’i analizoj deklaratat e deputetëve të asnjë partie.

“Unë nuk jam këtu për t’i analizuar deklaratat e deputetëve të Vetëvendosjes e as të ndonjë subjekti tjetër. Qëndrimi jonë ndaj Përparim Ramës është i shprehur rregullisht tash e dy vjet në çdo seancë, çdo konferencë dhe në çdo komunikatë që e kemi bërë si qendër në Prishtinë. Nuk jam këtu për t’i komentuar deklaratat të cilat nuk i kam pa dhe nuk i kam lexu”, ka shtuar Sveçla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat