Kurti përmend rastin e Sanduloviqit: U rrah derisa u paralizua…

Aktuale

Kurti përmend rastin e Sanduloviqit: U rrah derisa u paralizua…

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 23:23
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka përmendur rastin e rrahjes brutale të liderit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.

Kurti theksoi se ai është rrahur për vdekje, me këtë ai tha se Serbia po vazhdon të kryejë akte kriminale.  

Sipas tij Vuçiqi po ua pamundëson jetën serbëve përmes torturave e rrahjeve.

“Serbia jo vetëm që promovon mohimin e gjenocidit, por vazhdon ta kryejë atë pasi që lideri opozitar, Nikola Sanduloviq kishte kërkuar falje për krimet e luftës të Serbisë në Kosovë dhe shtroi lule në varrin e një viktime 7 vjeçare, shërbimi sekret serb e arrestoi në janar të këtij viti, e rrahu deri në humbje të vetëdijes derisa e paralizoi”, ka thënë Kurti.

Ai përmendi edhe rastin e gazetarit serb i cili ka bërë me dije se planifikon të kthehet në Kosovës, për shkak regjimit të Vuçiqit.

“Në ndërkohë gazetari serb Radomar Dimiq që ka banuar në Serbi publikisht ka deklaruar se planifikon të kthehet në Kosovë sepse regjimi autoritar i Vuçiqit e ka bërë jetën të padurueshme për gazetarë atje dhe tash që po flasim ka arritur në Kosovë”, u shpreh ai.

Kryeministri përmendi edhe rastin e Banjskës, përmendi se një polic, Afrim Bunjaku u vra ndërsa dy të tjerë u lënduan.

Ai akuzoi direkt Vuçiqin për financim e mbështetje të këtij sulmi terrorist.

“Një rast i qartë ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes terroriste duke përdorur edhe pelegrinët e pafajshëm si mburoja, Policia jonë i ka shmangur këto viktima. Më 27 shtator Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës dhe nga operacioni anti-terrorist“.

Kurti nënvizoi edhe faktin që Vuçiq nuk përmendi tre serbët e vrarë gjatë këtij sulmi

E vërejtët që sot, z. Vuçiq po rikujtonte disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë, pse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, mbështetur dhe orkestruar nga ai vetë dhe mu për këtë tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare”, ka thënë kryeministri Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat