Çfarë thonë ndërkombëtarët pas përplasjes së Kurtit me Vuçiqin në OKB?

Aktuale

Çfarë thonë ndërkombëtarët pas përplasjes së Kurtit me Vuçiqin në OKB?

Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 18:05
Albin Kurti

Përplasja e kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, nxiti reagime vendore e ndërkombëtare.

E si të pakuptimtë këtë seancë e cilësoi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama tha se dy shtetet, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen në dialogun në mes dy shteteve.

“Ishte një seancë e pakuptimtë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vend për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera nga të cilat përfitojnë qytetarët e zakonshëm, duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm”, tha kryeministri i Shqipërisë.

Si ballafaqim të panevojshëm dhe të dëmshëm për Kosovën, këtë përballje e ka parë ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“U dëshmua qartësisht se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën. Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit. Kjo qasje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, tha Hoti.

Si të rreshtuar keq ndërkombëtarisht Kosovën e ka parë ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim”, tha Hoxhaj.

Ndërsa profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeministri Albin Kurti doli fitues ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa humbës karshi ShBA-së.

Kjo mbledhje e jashtëzakonshme u mbajt të enjten, me kërkesë nga Serbia për shkak të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, ku valuta e vetme zyrtare në vend nga një shkurti është vetëm euroja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat