Pandemia Covid-19, shkak i mosimplementimit të Ligjit për mbrojtjen e fëmijës

Aktuale

Pandemia Covid-19, shkak i mosimplementimit të Ligjit për mbrojtjen e fëmijës

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 16:04
Foto nga vendi i ngjarjes

Vetëm nëntë Udhëzime administrative janë miratuar nga qeveria për zbatimit në plotëni të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. Pandemia COVID-19 e ndërrimi i qeverisë, janë dy nga shkaqet që ndikuan në mosimplementimin e tërësishëm të këtij ligji. Kështu u tha në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku u takuan me përfaqësuesit e Zyra për Qeverisje të Mirë (ZQM), Save the Children dhe KOMF-it.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje tha se Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës po monitorohet nga komisioni.

Balje: Komisioni për të Drejtat e Njeriut monitoron Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve

"Ne kemi vendosur brenda Komisionit për të Drejtat e Njeriut për të monitoruar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe këtu kemi përfaqësues të qeverisë, zonja Qendresa, përfaqësues të KOMF-it dhe Save the Children. Fokusi është në udhëzimin administrativ, të cilat duhet të plotësojnë ligjin dhe ligji të hyjë në fuqi", tha ajo.

Qendresa Ibra nga Zyra për Qeverisje të Mirë tha se Udhëzimet administrative që kanë hyrë në fuqi po zbatohen në masë të madhe.

Ajo përmendi pandeminë e ndërrimin e qeverisë që kanë ndikuar për moimplementimin e tërësishëm të ligjit.

Ibra: Është bërë ndryshimi i strukturës së brendshme organizative

"Kohëve të fundit është bërë ndryshimi i strukturës së brendshme organizative të qeverisë dhe kushtimisht kjo ka ndikuar edhe në ndaljen e hapave sa i përket Udhëzimeve administrative që burojnë prej Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës...nga ky ligj kërkohet të nxjerrën 17 udhëzime administrative, 15 prej të cilave janë nën përgjegjësinë institucioneve qeveritare, ndërsa dy të institucioneve të pavarura, ku është Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Pavarur për Media. Prej këtyre 15 udhëzimeve të cilat janë nën përgjegjësinë e qeverisë janë aprovuar nëntë, aktualisht janë në finale të cilat i kanë tejkaluar edhe konsultimet publike", ka njoftuar ajo.

Tutje, Ibra shtoi se është edhe një Udhëzim administrativ i cili nuk është aprovuar dhe është nën përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit.

Bukureza Surdulli nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) tha se gjatë monitorimit kanë vërejtur se Ligji nuk po zbatohet në masë të madhe.

Surdulli: Në fund të shkurtit publikohet raporti

"KOMF vitin e kaluar ka bërë një monitorim për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, ku janë përfshirë të gjitha fushat të cilat janë edhe në ligj, por nuk është publikuar ende dhe po besoj se në fund të shkurtit apo ne fillim të marsit do të bëhet edhe publikimi i këtij raporti. Pak a shume ne si KOMF kemi dalë me deklarata edhe më herët qe ligji nuk është zbatuar edhe në masë të madhe. Ne kemi punuar shumë në nivel lokal për t'i informuar njerëzit por edhe profesionistët për përmbajtjen e ligjit. Gjatë vitit 2022 bashkë me Zyrën për Qeverisje të Mirë në 13 regjione të Kosovës kemi mbajtur sesione informuese", tha ajo.

Ligji për mbrojtjen e fëmijës është miratuar në vitin 2019. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat