Kosova përballë thirrjeve për bashkërendim me SHBA-në

Aktuale

Kosova përballë thirrjeve për bashkërendim me SHBA-në

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 18:06
Prishtinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje të mërkurën Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çfarëdo lloj veprimi që mund të përshkallëzojë tensionet në Ballkanin Perëndimor.

Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi në prag të takimit të ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të aleancës, mes shqetësimeve që ka nxitur vendimi i autoriteteve të Kosovës i cili ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa në të gatshme në zonat e banuara me shumicë serbe.

Kemi parë rritje të tensioneve në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor përgjatë muajve të fundit. Mesazhi im kryesor është që të gjitha palët duhet të përmbahen nga retorika nxitëse dhe çfarëdo veprimi që mund të përshkallëzojë më shumë tensionet në rajon. Kur flasim për Kosovën, rruga përpara është nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe u bëj thirrje të dyja palëve të angazhohen në mirëbesim në këtë dialog”, tha zoti Stoltenberg.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilit euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i tij.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien tha të martën në një intervistë për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me këtë vendim duke nënvizuar se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

I pyetur nga gazetarët rreth këtyre komenteve, kryeministri Albin Kurti tha sot se autoritetet në Kosovë janë të përkushtuara që pa ndëshkime e pa incidente të ecin përpara drejt formalizimit dhe legalizimit të çdo transaksioni në vend. Ndonëse theksoi se Shtetet e Bashkuara paraqesin mikun dhe partnerin më të rëndësishëm që ka Kosova, ai nuk la të nënkuptohet se do të tërhiqet nga vendimi për dinarin.

Por, njohësi i zhvillimeve politike, Rrahman Paçarizi, thotë se është fatkeqësi që Kosova ka lejuar diplomacinë të dalë nga binarët dhe të shndërrohet në deklarime publike.

“Në deklarime të cilat mund të interpretohen edhe si kërcënime edhe si prishje e raporteve edhe si gjithçka tjetër të cilën nuk besoj që qytetarët e Kosovës e kanë dashur apo menduar ndonjëherë në raport me Shtetet e Bashkuara, ndonëse deklarata e zotit O’Brien fliste për raportet me qeverinë dhe jo me shtetin apo popullin e Kosovës, por qeveria është ajo që përfaqëson këtë shtet e këtë popull”, thotë zoti Paçarizi.

Autoritetet në Kosovë duhet të ndërmarrin veprime sa më parë në përputhje me kërkesat ndërkombëtare, thotë ai, për të mos lejuar që këto deklarime të shndërrohen në masa konkrete ndëshkuese.

“Kur masat nisin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo nga institucione që udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara, atëherë shtetet tjera nuk e kanë aspak problem që t’i ndjekin ato masa. Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimet ushtarake ‘Defender’ të vitit të kaluar ishte sinjal për shtetet evropiane që mund të vënë masa ndaj Kosovës dhe kjo ndodhi”, thotë zoti Paçarizi.

Ai vlerëson se duke e shndërruar një problem të brendshëm në problem ndërkombëtar, Kosova po rrezikon të futet në një fazë edhe më të rrezikshme.

“Kur e bën problem ndërkombëtar duhet të bëhet pjesë e dialogut dhe kur bëhet pjesë e dialogut bëhet pjesë e kompromiseve. Domethënë unë kam frikë se po hyjmë në fazën e themelimit të sistemit financiar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili fatkeqësisht mund të funksionojë me dinar”, thotë zoti Paçarizi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në disa raste kërkuan nga qeveria e Kosovës pezullimin e vendimit të Bankës Qendrore dhe një periudhë të mjaftueshme kalimtare për zbatimin e tij, mes shqetësimeve se kjo çështje mund të nxisë tensione të reja.

Në një mesazh urimi dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Serbisë, Presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje Serbisë që të bëjë hapa përpara duke përfshirë edhe kompromise kur është e nevojshme, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat