Deklarata e O’Brien, Mavraj: Alarm serioz

Aktuale

Deklarata e O’Brien, Mavraj: Alarm serioz

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 19:30
Muhamet Mavraj

Muhamet Mavraj, profesor universitar dhe njohës i çështjeve politike, ka folur për situatën politike dhe të sigurisë në vend, me theks të veçantë pas deklaratës së ndihmës-sekretari amerikan të Shtetit, James O’Brien, për situatën e krijuar në Kosovës pas vendimit të BQK-së për valutën e dinarit serb.

Lidhur me reagimin e O’Brien, Mavraj tha se është bërë në kontekst të zhvillimeve të reja, si paraprijëse të vizitës së Sekretarit Blinken në Shqipëri, në ditën e nesërme.

Sipas Mavrajt mesazhi ka qenë identik me ato të mëparshme.

“Është një alarm shumë serioz, i cili për fat të keq te Qeveria e Kosovës nuk do të sjellë shumë ndryshime, për shkak se këta kanë hyrë në aksione të tjera, në angazhime të tjera”, deklaroi Mavraj në RTK, teksa këtë veprim e krahasoi me rastin e Grenellit, që i kanë premtuar diçka tjetër dhe kanë vepruar diçka tjetër, që, sipas Mavrajt, ka shkuar në disfavor të Kosovës.

Mavraj tutje sqaroi se krejt çka na është kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë ka qenë korrektësi dhe bashkërendim me aktorët dhe faktorët që prodhojnë sigurinë këtu, që SHBA, siç u shpreh ai,  ka rolin substancial.

Ndërkaq lidhur me deklarimin e kryeministrit Kurti ndaj deklaratës O’Brien, se nuk prishen marrëdhëniet me SHBA-në, Mavraj tha se të tjerët nuk i dëgjojnë deklaratat kur i shohin veprimet, ngase, shtoi ai, nuk i besojnë.

E, lidhur me vendimin e BQK-së për dinarin, Mavraj tha se nuk është fare në të mirën e Kosovës. Ai sqaroi se do të duhej të kanalizonin e ta formulonin ndryshe, në koordinim me ndërkombëtarët, jo që ata të informoheshin nga gazetat, mjetet e informimit.

“Dinari serb nuk është ndonjë faktor që ndihemi të pushtuar prej tij”, deklaroi Mavraj, derisa sqaroi se si është vendosur Euro të jetë valutë e vetme në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat