AAK-ja ia merr PDK-së Artan Nimanin, e prezanton si kryetar të një forumi

Aktuale

AAK-ja ia merr PDK-së Artan Nimanin, e prezanton si kryetar të një forumi

Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 15:50
Fatmir Limaj, Artan Nimani dhe Ramush Haradinaj

Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, sot i është bashkuar në koalicion edhe Forumi Intelektual E-2030 që në krye ka Artan Nimanin, dikur pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Nimani, i zëshëm në Partinë Demokratike, ishte larguar nga kjo parti pasi ishte zgjedhur prorektor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” më 10 qershor 2019.

Në njoftimin e sotëm për koalicion, të cilët pretendojnë të garojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme, thuhet se “së bashku do të punojnë për Shtetin e Kosovës”, për siç thuhet në njoftim, “rikthimin e demokracisë”.

Artan Nimani ka qenë edhe Anëtar në Këshillin Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës.

Më 17 janar, Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur për koalicionin parazgjedhor AAK-NISMA.

Në tekstin e deklaratës thuhej se AAK dhe NISMA Socialdemokrate lidhin marrëveshje koalicioni për zgjedhjet e përgjithshme të radhës 2024-2025.

“Të dyja partitë dakordohen që të krijojnë frontin e përbashkët për shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, thuhej në tekst.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat