Ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së lirohet nga akuza për korrupsion

Aktuale

Ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së lirohet nga akuza për korrupsion

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 09:47
Lavdim Krasniqi

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuza për korrupsion ish-sekretarin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.

Ai është liruar nga akuza për veprat penale ushtrim i ndikimit, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe mosraportim i pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E akuzuara Flora Doda u lirua nga akuza për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kurse Marigonë Berisha u lirua nga akuza për veprën penale blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale. Kurse u dënua me 3 mijë euro për falsifikim të dokumentit.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi.

Në seancën fundit, ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi si dhe të akuzuarat Marigonë Berisha dhe Flora Doda, janë mbrojtur në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë.

Ndërsa, Ardian Krasniqi ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë. Kurse e akuzuara Marigonë Berisha, u dënua me 5 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, ishte liruar nga akuzat.

Kundër këtij aktgjykimi ka bërë ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit mbi dënimin, konfiskimin dhe kërkesave pasurore-juridike.

Kurse, Prokuroria e Apelit ka kërkuar që kjo ankesë e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar, ndërkaq aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe ndaj të akuzuarve lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Ndërkaq, ka kërkuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.

Kurse, Gjykata e Apelit më 7 nëntor 2023 e ka kthyer në rigjykim këtë çështje penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal, akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat