Deutsche Welle për ndalimin e dinarit: Një problem që prek pagat, pensionet dhe ndihmën sociale për rreth 95.000 persona

Aktuale

Deutsche Welle për ndalimin e dinarit: Një problem që prek pagat, pensionet dhe ndihmën sociale për rreth 95.000 persona

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 11:12
Serbët duke protestuar

A do të jetë ende në gjendje Serbia të financojë pagat, pensionet dhe ndihmën sociale në Kosovë? Ka një periudhë kalimtare tre mujore në të cilën duhet gjetur një zgjidhje pas “heqjes së dinarit”. Në komunitetin serb ka frikë, shkruan Deutsche Welle.

Që nga fillimi i shkurtit, sipas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, dinari nuk mund të përdoret më në Kosovë.

Në veri të Kosovës, ku jetojnë pothuajse ekskluzivisht serbët, biznesi bëhet kryesisht me dinarë. Në Zubin Potok ka një radhë të gjatë përballë Poštanska Stedionica, e vetmja bankë serbe që ende operon në territorin e Kosovës.

Millosh Vuçiniq jeton me prindërit e tij në fshatin Zupçe, në Veri të Zubin Potokut. Zakonisht blejnë sende ushqimore në dyqanin e fshatit. Që kur e mban mend Milloshi, atje është paguar me dinarë.

“Vendimi i kryeministrit Kurti për dinarin ka ndikim tek njerëzit në veri”, ankohet Millosh Vuçiniq.

Pasojat i ndjejnë edhe prindërit e tij. Nëna e Milloshit – e cila punon si mësuese në Zubin Potok – e merr rrogën nga Beogradi. Herën e kaluar, asaj iu desh të kalonte dyzet kilometra deri në Rashkë për të tërhequr para.

Disa transportues me dinarë serbë tashmë janë sekuestruar ose ndaluar në kufi. Për shkak të kësaj, mijëra njerëz protestuan në Mitrovicën e Veriut këtë javë dhe zyrtarët dhe ambasadorët perëndimorë kritikuan Kosovën për vendimin e marrë në mënyrë të njëanshme.

Të hënën, Banka Qendrore e Kosovës miratoi një periudhë kalimtare prej tre muajsh. Tri banka që operojnë në Kosovë dhe Serbi – Raiffeisen, NLB dhe ProCredit – janë të autorizuara të marrin dinarë dhe t’i konvertojnë ato në euro. U bënë edhe disa sugjerime se si të këmbehet dinari me euron në të ardhmen.

“Ky problem nuk prek vetëm veriun e Kosovës, por gjithë popullatën serbe në Kosovë sepse prek drejtpërdrejt pagat, pensionet dhe asistencën sociale për rreth 95 mijë persona”, deklaroi Ilir Deda nga Instituti për Shkenca Humane në Vjenë.

Serbia ka ende shkolla, spitale dhe zyra në Kosovë.

Ish-deputeti i Kosovës Deda thotë se valuta nuk është çështja kryesore këtu. “Bëhet fjalë për mungesën e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për institucionet që i financon dhe kontrollon Serbia në Kosovë”, shton ai.

Zgjidhja është Asociacioni i Komunave Serbe, i cili do të rregullonte se si Serbia i mbështet institucionet që do të ankorohen në sistemin e Kosovës. Por, që nga viti 2013, Prishtina nuk e ka zbatuar marrëveshjen nga Brukseli.

Në përgjithësi, dialogu i ndërmjetësuar nga BE ka kohë që është bllokuar dhe është reduktuar në kontrollin e dëmtimit dhe parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve, le të themi për targat.

Pas përpjekjeve të fundit – vitin e kaluar në Ohër dhe Bruksel – zyrtarët serbë thanë qartë se nuk do të zbatojnë disa nga pikat e dakorduara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me pranimin e Kosovës në OKB.

Dialogu nën udhëheqjen e Brukselit është e vetmja gjë që ekziston

Për Branislav Krstiqin, gazetar dhe analist nga Mitrovica Veriore, vendimi për dinarin paraqet “shkelje të të drejtave kolektive”. “Qëllimi kryesor është të pamundësohet mbijetesa e serbëve në Kosovë”, thotë Krstiq.

Këtë gjë e sheh edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Në seancën urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ai foli për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të Rezolutës 1244”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana tjetër, tha se monedha e përbashkët në formën e euros nuk është hakmarrje ndaj serbëve, por tentativë për të shtypur keqpërdorimet financiare. Ai premtoi komunikim më të mirë me serbët e Kosovës dhe lehtësi të kalimit në euro.

Këshilli i Sigurimit iu referua BE-së – çështje të tilla zgjidhen nën dirigjentin e Brukselit.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është një proces sfidues, por është e vetmja gjë që kemi dhe do të kemi në të ardhmen e afërt”, tha ai për DW.

“Kapitulli i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të mbyllet pa përfshirjen vendimtare, të besueshme dhe vizionare të Perëndimit”, është i bindur Deda.

Rregullat e reja të BQK-së prishën jetën e përditshme të serbëve të Kosovës. Për shembull, autoritetet në Beograd paguajnë një bursë mujore prej 12,000 dinarësh për studentët e mirë.

Tani është e paqartë se si do të arrijnë ato para në Kosovë, zgjidhja duhet të gjendet në një periudhë tranzitore prej tre muajsh.

Milloshi, i cili vetë ka ndjekur një shkollë serbe në Zubin Potok, pranon se ka frikë. Ai pyet se çfarë do të ndodhë më pas. “Vula e Kosovës në certifikatat dhe diplomat tona apo ndoshta ndalimi i shkollave serbe?

Ai thotë se e ardhmja e serbëve në Kosovë është e pasigurt. Vetë Milloshi po mendon të largohet – në Beograd ose jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat