Kur do të kthehet vila e Radojiçiqit në stacion të Policisë?

Aktuale

Kur do të kthehet vila e Radojiçiqit në stacion të Policisë?

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 14:31
Vila e Millan Radoiçiq

Shteti akoma nuk ka ndonjë vendim për vilën e Milan Radojiçiqit, me pamje nga Liqeni i Ujëmanit. Ministri Xhelal Sveçla ka dhënë propozimin që objekti të shndërrohet në stacion të Policisë së Kosovës, për njësitin e barkave në Departamentin e Kufirit.

Për ta shndërruar në stacion, atij i nevojitet një nënshkrim i Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, meqë prona ku është e ndërtuar vila është e Agjencisë Pyjore të Kosovës që funksionon në kuadër të kësaj ministrie.

Qeveria e Kosovës ka nisur qe disa javë procedurat për ta kthyer vilën e Milan Radojiçiqit në stacion të Policisë së Kosovës.

Ideja për këtë është e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës. Sveçla kishte delaruar se vila është e ndërtuar ilegalisht në pronë të shtetit, saktësisht në tokën e Agjencisë Pyjore. Për këtë arsye atij i duhet edhe pajtimi i Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit.

Gazeta ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, nëse është vendosur që prona në fjalë t’i kalojë në pronësi Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku nga kjo ministri kanë deklaruar se po i koordinojnë veprimet institucionale që të jetësohet kjo ide.

”Si Qeveri po koordinojmë veprimet institucionale me qëllim që pronat e ndërtuara ilegalisht në pronë të shtetit, përkatësisht të Agjencisë Pyjore të Kosovës e në këtë rast konkret Vila e Radojçiqit, të vihet në funksion të organeve të rendit dhe sigurisë”, thuhet në përgjigjen e MBPZHR’së.

Lidhur me pronat e Radojiçiqit ishte deklaruar muaj më parë edhe Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë, Thomas Szunyog. Ai është pyetur nëse BE do t’i mbështes institucionet e Kosovës “për të filluar operacionet apo konfiskimin e pronës së Milan Radojiçiq, nëse kjo është pjesë e punës së tyre”.

Szunyog kishte thënë se nëse Gjykata vendos se ai është fajtor dhe se arrihet në përfundim se kjo duhet të bëhet atëherë këtë duhet ta bëjnë autoritetet përkatëse.

“Unë mendoj se duhet të ndjekim procedurat e duhura dhe institucionet e sundimit të ligjit. Dua të them, nëse ka një dëshmi të besueshme, ajo duhet të shkojë në gjykatë. Nëse gjykata vendos se dikush është fajtor, dhe meqë ra fjala, në Kosovë është një ligj i mirë që nga viti 2018 për konfiskimin penal të pasurisë. Nëse kjo arrihet në përfundim të gjykimit se kjo duhet të bëhet dhe këtë e bëjnë autoritetet përkatëse, duke përfshirë edhe gjykatat atëherë ky është sundimi i ligjit”, ka deklaruar Szunyog.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, kishte deklaruar javë më parë se Radojiçiq, përmes një sms që ka siguruar Policia e Kosovës, ka kërcënuar me vrasjen e udhëheqësve politikë nëse atij i preket banesa dhe restoranti që posedon në veri të vendit.

“Milan Radojiçiq ka kërcënuar nga Rashka. Kërcënimi i është dërguar me sms Policisë së Kosovës në të thuhet se : “në qoftës se ju ma prekni restorantit dhe banesën time në veri unë do t’iu vras sepse kam njerëz. Do t’i vras udhëheqësit e partive dhe do të vras njerëz atje nëpër Kosovë’’, këta janë frikësuar shumë dhe kanë vendos rohje tek drejtuesit politik (Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun). Ndoshta do të duhej ta refuzonin të dytë mbrojtjen e Policisë sepse ata janë të sigurt në Kosovë. Dhe Radojiçiçi le të vjen në qftëse ka guxim dhe le ta vret kënd dojë”, kishte thënë Haliti.

Ndryshe, Milan Radojiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra heroi Afrim Bunjaku. Ai e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm vetëm pasi Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçka, kishte publikuar pamje ku shihej qartazi pjesëmarrja e tij në këtë sulm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat