Osmani nga Kuvendi në përvjetorin e Pavarësisë, mesazh Serbisë - kjo është thirrja e saj për raportet me ndërkombëtarët

Aktuale

Osmani nga Kuvendi në përvjetorin e Pavarësisë, mesazh Serbisë - kjo është thirrja e saj për raportet me ndërkombëtarët

Nga: Bota sot Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 07:25 Përditësuar në ora: 11:51 më 17.02.2024
Vjosa Osmani

Krerët shtetërorë bëjnë homazhe te monumenti i policëve të rënë në detyrë

Me rastin e shënimit të 16-të vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, te monumenti i policëve të rënë në kryerje të detyrës u bë vendosja ceremoniale e kurorave nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

21 pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë humbur jetën në krye të detyrës zyrtare prej që është themeluar ky institucion, në shtator të vitit 1999.

Fillimisht, ata bënë nderime te Monumenti “Heroinat” e më pastaj vazhduan për nderime te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë.

Në këto nderime ka marrë pjesë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Abdixhiku bën homazhe te varri i Rugovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe te varri i Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova në 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Kryetari Abdixhiku ka kujtuar e nderuar atin themeltar të shtetit tonë, Presidentin Historik Rugova i cili themeloi e udhëhoqi lëvizjen më të madhe shqiptare për liri e pavarësi dhe të gjithë burrat e gratë që kanë dhënë gjithçka për vendin tonë dhe na kanë mësuar se sa e shtrenjtë është liria e shtetësia.

“Kryetari Abdixhiku po ashtu shprehu mirënjohje e falënderim për të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës që në orët më të rënda qëndruan me ne dhe e mbështetën vendin tonë, që ta gëzojmë ditën e sotme.

Gëzuar 16 vjetori i pavarësisë, Kosovë”, njofton LDK. 

Krerët e shtetit bëjnë nderime te “Heroinat” dhe te monumenti i policëve të rënë në detyrë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë vazhduar me nderime për nder të 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Fillimisht, ata bënë nderime te Monumenti “Heroinat” e më pastaj vazhduan për nderime te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë.

Në këto nderime ka marrë pjesë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Krerët shtetërorë bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Në përvjetorin e 16-të të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, krerë të lartë shtetërorë bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me anëtarë të kabinetit qeveritar bënë homazhe tek varrezat e familjes Jashari.

Ndërkaq, të njëjtit nuk u deklaruan për medie.

Përveç krerëve shtetërorë, qytetarë të shumtë anë e mbanë Kosovës e jashtë saj, erdhën për të nderuar sakrificën e familjes Jashari.

Kurti: Republika jonë e përbashkët nuk ka qenë asnjëherë më e fortë, më e lirë dhe demokratike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vlerëson se ky përvjetor e zë Kosovën me pasaportën e saj të fuqishme, duke mundësuar që qytetarët të lëvizin lirshëm.

Kurti, mes tjerash, ka thënë se që republika jonë e përbashkët nuk ka qenë asnjëherë më e fortë më e lirë dhe demokratike.

“Gëzuar e urime pavarësia e Kosovës, para një muaji përkujtuam 25 vjetorin e masakrës së Recakut, pas tre jave përkujtojmë 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare. Pas katër muajsh do të shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, rezistenca dhe çlirimi i paraprijnë pavarësisë, të cilën e gëzojmë sot dhe e forcojmë sot përmes institucioneve të shtetit zhvillimit të ekonomisë, progresit demokratike e shoqëror”, ka thënë Kurti.

“Ky 16 vjetor e zë Kosovën me pasaportën e saj të fuqishme si asnjëherë më parë duke mundësuar që qytetarët të lëvizin lirshëm në 35 vende dhe gjithashtu në aspektin ekonomik e demokratik e sigurisë, mund të themi që republika jonë e përbashkët nuk ka qenë asnjëherë më e fortë më e lirë dhe demokratike”.

Rama para varrit të ish-presidentit Rugova: Arkitekti i Republikës së Kosovës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

I pari i Kryeqytetit tha se ish-presidenti Rugova ishte arkitekti i Pavarësisë.

“Jemi këtu për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës për të bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugovës, arkitektit të Kosovës për me nderu figurën e tij, për me nderu të gjithë ata që kane dhënë jetën e tyre.

Ata që kanë marr pjesë ne transformimin e këtij vendi në shtet të pavarur, në një shtet demokratik”, u shpreh Rama.

Pavarësia e Kosovës, Konjufca: Falënderimi i parë shkon për dëshmorët, të cilët e dhanë jetën për liri

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se 16 vite më parë lindi Republika e Kosovës.

Konjufca, mes tjerash përmendi ata që dhanë jetën për liri dhe aleatët ndërkombëtarë që mundësuan që shteti i Kosovës të krijohet.

“Sot është dita e pavarësisë, Dita më e rëndësishme e shtetit tonë.

16 vite më parë lindi Republika e Kosovës, sot është ditë e jo vetëm e festimit por edhe reflektimit dhe mirënjohjeve sepse falënderimi i parë shkon për dëshmorët dhe martirët të cilët e dhanë jetën për liri dhe pavarësinë e  shtetit tonë dhe gjithë ata veprimtarë dhe aktivistë politikë që nuk kursyen asgjë që shteti ynë të krijohet dhe miqtë tanë ndërkombëtarë që të lind Republika e Kosovës”, tha Konjufca.

Kurti: Mirënjohje e veçantë partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë, përgjithmonë u jemi falënderues

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen festive të Qeverisë për 16 vjetorin e pavarësisë, ka falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në çlirimin e vendit dhe në rrugën deri te pavarësia.

Ai shprehu mirënjohje të veçantë për partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, për të cilët tha se do t’u jenë përgjithmonë falënderues.

“U jemi falenderues të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë. Mirënjohje e veçantë partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falenderues”, ka thënë Kurti në mbledhjen festive të Qeverisë.  

Kurti tha se Kosova është “shtëpia e përbashkët”, që u ndërtua me mbështetjen e aleatëve.

“Pas luftës shkatërruese 1998-1999, në rindërtuam shtëpitë tanë. Me mbështetjen nga aleatët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin, i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror. Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet”, tha Kurti.

Kurti uroi të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë, derisa tha se Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim

“Ashtu sikurse ditën kur u shpall, 16 vite më parë, ashtu edhe sot si dhe cdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Andaj sot festojmë e urojmë e përgëzojmë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet joshumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazëzët, kroatët etj”, shtoi Kurti.

Krerët e shtetit bëjnë homazhe tek varri Rugovës dhe Demaçit

Në shënimin e 16-të të pavarësisë së Kosovës, liderët e shtetit kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe edhe tek varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Me këtë rast, të njëjtit nuk janë deklaruar për media.

Krerët shtetërorë do të vazhdojnë për homazhe edhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

​Krerët shtetërorë urojnë pavarësinë me rastin e ngritjes së flamurit: Jemi më të fortë se kurrë

Flamuri i Republikës së Kosovës, është ngritur në oborrin e Qeverisë, për nder të pavarësisë. Me këtë rast, krerët shtetërorë kujtuan sakrificën më sublime të atyre që dhanë jetën për liri, derisa theksuan se Kosova sot është më e fortë se kurrë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se këto 16 vjet të shtetësisë së saj, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe i ka dëshmuar botës se është kontribuuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit edhe përtej kufijve të saj.

Osmani: Këto 16 vjet Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara

“Këto 16 vjet të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe ka vendosur për të treguar para botës se jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por është kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufijve të saj. Dua t’i urojë të gjithë qytetarët e Kosovës sepse gjithsecili ka dhënë një kontribut për shtetin tonë, por në veçanti dua t’i kujtojë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre, dhanë jetën e tyre, dëshmorët e kombit, të gjithë martirët tonë. Në këtë ditë kujtojmë vizionin e arkitektit të pavarësisë, presidentit Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve me në krye komandantin Adem Jashari”, tha ajo.

Se 17 shkurti është ditë e festimit, por edhe falënderimit dhe mirënjohjeve tha kryeparlamentari Galuk Konjufca.

Konjufca: Sot është ditë e festimit, por edhe falënderimit dhe mirënjohjeve

“Sot është një ditë jo vetëm e festimit, por edhe reflektimit, falënderimit dhe mirënjohjeve. Falënderimi i parë shkon për ata dëshmorë dhe martirë që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë, po ashtu edhe për të gjithë ata veprimtarë dhe aktivistë politikë që nuk kursyen asnjë gjë që shteti jonë të krijohet. Padyshim edhe miqtë tanë ndërkombëtarë që të lindë Republika e Kosovës”, shtoi Konjufca.

Për kryeminsitrin e vendit, Albin Kurti, Kosova asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, e sigurt dhe demokratike.

Kurti: Kosova asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, sigurt dhe demokratike

“Rezistenca dhe çlirimi i paraprinë pavarësisë, të cilën e gëzojmë sot dhe forcojmë përmes institucioneve të shtetit, zhvillimit të ekonomisë, progresit demokratik dhe shoqëror. Ky 16 vjetor e zë Kosovës me pasaportën e saj të fuqishme si asnjëherë më parë duke mundësuar që qytetarët të lëvizin lirshëm në 35 vende. Gjithashtu edhe në aspektin ekonomik, demokratik dhe atë të sigurisë dhe të integritetit, duhet të themi se Republika jonë e përbashkët asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, sigurt, lirë dhe demokratike”, tha Kurti.

Pas ngritjes së flamurit, krerët shtetërorë vazhduan për homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat