Nga SHBA-të, Shqipëria, Britania e Madhe, Gjermania e Turqia – urimet në 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovë

Aktuale

Nga SHBA-të, Shqipëria, Britania e Madhe, Gjermania e Turqia – urimet në 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovë

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 08:19
Foto ilustrim

Presidenti amerikan, Joe Biden, Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella e udhëheqës të shteteve tjera kanë uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në letrën e presidentit Biden thuhet se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm, të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më të begatë.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për dialog të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë (përfundimtare)”, thuhet në letër.

Ndërkaq në letrën e tij, Mbreti Charles III ka thënë se vlerëson lidhjen në mes të shteteve tona, duke theksuar se shpreson se do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë në çështjet e rëndësishme globale, nga të cilat do të përfitojnë brezi ynë i ardhshëm.

Edhe presidenti gjerman Steinmeier ka uruar Kosovën në 16-vjetorin e pavarësisë, gjersa ka thënë se Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës edhe në të ardhmen, ndërsa ka theksuar se do ta mbështesë vendin tonë drejt një të ardhme paqësore, evropiane.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në 16 vjetorin e pavarësisë ka pranuar telegram urimi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Kosovës, në çdo hap të saj për përballimin e çdo kërcënimi si dhe për anëtarësimet e reja në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Presidenti Begaj në telegramin e urimit.

Ndërsa, në letrën e urimit dërguar presidentes Osmani, presidenti Macron përshëndet dinamizmin e Kosovës dhe përparimin mbresëlënës të bërë që nga shpallja e pavarësisë, duke thënë se vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Evropian.

Edhe presidenti turk Erdogan ka uruar popullin e Kosovës për 17 Shkurt.

Ai ka shprehur besim të plotë se marrëdhëniet e shumanshme miqësore mes Turqisë dhe Kosovës, do të vazhdojnë të zhvillohen.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë, ka pranuar telegram urimi nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.

Në letrën e tij, Presidenti Mattarella ka thënë se Italia do të qëndrojë përkrah Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe sigurinë e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat