Konjufca: Sot nderojmë drejtuesit e luftës që po përballen me akuza të pabazuara

Aktuale

Konjufca: Sot nderojmë drejtuesit e luftës që po përballen me akuza të pabazuara

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 18:47
Kryeparlamentari Glauk Konjfuca

Kryeparlamentari Glauk Konjfuca, në pritjen shtetërore për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është emblema më e rëndësishme në historinë e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Ai i kujtoi edhe krerët e UÇK-së ndaj të cilëve po vazhdon gjykimi në Hagë nga Gjykata Speciale.

“Më lejoni që sot t’i kujtojmë edhe të gjithë ata luftëtarë te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të cilët e bënë luftën e lavdishme, më të lavdishme që një ushtri mund ta bëjë, siç është lufta jonë për çlirimin dhe lirinë e popullit tonë. UÇK-ja është emblema më e rëndësishme në historinë e Kosovës sonë të lirë dhe të pavarur. Dëshiroj që në ketë ditë historike t’i kujtojmë dhe t’i nderojmë edhe drejtuesit e luftës sonë çlirimtare që padrejtësisht nuk po mund të festojnë sot këtu me ne për shkak se ndodhen në një proces akuzash të pabazuara”.

Konjufca lavdata thuri edhe për komandantin legjendar Adem Jasharin dhe familjen e tij dhe dëshmorët e tjerë.

“Shteti i Kosovës nuk do të bëhej realitet pa idealin e heronjve, të dëshmorëve, të martirëve, të gjithë atyre që Kosovën s’mund ta përfytyronin ndryshe përveç se si të lirë dhe sovrane, të pavarur përgjithmonë nga Kosova. Prandaj Pavarësia e Kosovës si sinonim i lirisë sonë nuk mund të imagjinohet pa komandantin legjendar Adem Jashari, dhe sakrificën heroike të familjes Jashari, të cilët nuk hoqën dorë nga Kosova për asnjë çmim, duke bërë sakrificën më të lartë që mund të imagjinohet ashtu që kombit tonë t’i kthehet liria dhe dinjiteti”.

Ai gjithashtu theksoi se Pavarësia e Kosovës është dinjiteti që popullit iu dha nga ata që patën guximin të ëndërrojnë këtë ditë.

“Jemi krenar për rrugëtimin e Kosovës si shtet sovran si vend i lirë, e po ashtu si demokraci e konsuliduar. Pavarësia e Kosovës është para se të gjithash dinjiteti që popullit tonë iu dha prej atyre burrave dhe grave që e patën guximin për ta ëndërruar këtë ditë edhe në kohët më të vështira, atyre që luftuan, u vranë dhe u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat