Kryetari Konjufca në pritje shtetërore: UÇK-ja është emblema më e rëndësishme në historinë e Kosovës së lirë e të pavarur

Aktuale

Kryetari Konjufca në pritje shtetërore: UÇK-ja është emblema më e rëndësishme në historinë e Kosovës së lirë e të pavarur

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 22:23
Glauk Konjufca

Në kuadër të aktiviteteve me rastin e shënimit të përvjetorit të 16-të të pavarësisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti organizuan pritje shtetërore për korin diplomatik të akredituar në Prishtinë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare. 

Në fjalën e tij para të të ftuarve të shumtë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se dita e sotme shënon ditën më të rëndësishme të vendit tonë, 17 shkurtin e vitit 2008, ditën e pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, përkatësisht datën e themelimit të Kosovës së re, si shtet i pavarur, demokratik e i barabaratë për të gjithë qytetarët e saj.

Kryetari Konjufca tha se çdo përvjetor i pavarësisë së Kosovës, siç është edhe ky 16-vjetor, na bën krenarë si popull, që me sakrifica të panumërta më shumë se shekullore, ia dolëm të triumfojmë mbi pushtimin serb dhe mbi kohërat e rënda të së shkuarës. 

Kreu i Kuvendit shtoi se pavarësia e Kosovës është parasëgjithash dinjiteti që popullit tonë iu dha prej atyre burrave dhe grave që patën guximin për ta ëndërruar këtë ditë në kohë më të vështira, atyre që vepruan, luftuan, ranë dhe u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për gati 100 vite nën pushtim, shtoi kryetari Konjufca, ëndrra jonë për liri e vetëvendosje nuk u shua asnjëherë, pavarësisht padrejtësisë, diskriminimit, keqtrajtimit, dhunës, ndalimit, aparteidit, spastrimit etnik e gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi ndaj popullit tonë. 

“Shteti i Kosovës nuk do të bëhej realitet pa idealin e veprës së heronjve, dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që Kosovën s’mund ta imagjinonin ndryshe veç se të lirë dhe sovrane, të pavarur përgjithmonë nga Serbia. Prandaj pavarësia e Kosovës si sinonim i lirisë sonë, nuk mund të imagjinohohet pa Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe sakrificën heroike të Familjes Jashari, të cilët nuk hoqën dorë nga Kosova për asnjë çmim, duke e bërë sakrificën më të lartë që mund të imagjinohet”, theksoi kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit po ashtu kujtoi të gjithë luftëtarët e UÇK-së e anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët e bënë luftën e lavdishme, më të lavdishme që një ushtri mund ta bëjë, siç është lufta jonë për çlirimin dhe lirinë e popullit tonë. 

Kryetari Konjufca tha se UÇK-ja është emblema më e rëndësishme në historinë e Kosovës sonë të lirë e të pavarur. 

“Dëshiroj pra që në këtë ditë historike t’i kujtojmë e t’i nderojmë edhe drejtuesit e luftës sonë çlirimtare, që padrejtësisht nuk po mund të festojnë sot këtu me ne, për shkak se ndodhen në një proces akuzash të pabazuara”, tha kryetari Konjufca. 

Në vazhdim të fjalës së tij i pari i Kuvendit ritheksoi mirënjohjen dhe falënderimin për miqtë dhe aleatët tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por po ashtu edhe shtete të rëndësishme të BE-së e shtete të tjera mike anembanë globit, të cilat e njohën sovranitetin e Republikës së Kosovës. 

“Prandaj sot duke reflektuar për këtë histori, e duke e vlerësuar këtë rrugëtim, e themi me krenari, urime 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Lavdi të gjithë atyre që ranë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, falënderim e mirënjohje e veçantë aleatëve tanë. Rroftë Republika e Kosovës”, tha kryetari Glauk Konjufca.

Image
Pamje nga organizimi
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat