Lirimi i Enver Sekiraqës, babai i Triumf Rizës: Skandaloze, nuk jemi njoftuar as nga gjykata

Aktuale

Lirimi i Enver Sekiraqës, babai i Triumf Rizës: Skandaloze, nuk jemi njoftuar as nga gjykata

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 14:52
Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës

Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës, ka thënë se lirimi i Enver Sekiraqës nga masa e arrestit shtëpiak është skandaloze.

Në emisioni “Kosova today”, ai ka deklaruar se Sekiraqa do të duhej të ishte në paraburgim ende.

Na është dukur skandaloze me thënë të vërtetën, krejt e pakuptimtë sepse për një kryekriminel që ka bërë nxitje për vrasjen e Triumf Rizës për këso raste është dashtë të jetë në paraburgim. Aq më pak familja do të duhej të njoftohej, gjykata nuk na ka njoftuar e ka pasë obligim ligjor, jemi njoftuar nga mediat”, ka thënë Riza.

Riza ka theksuar se vazhdimisht kanë marrë kërcënime nga i dyshuari në fjalë.

“Vazhdimisht na kanë frikësuar ne si familje kemi qenë bukur të rrezikuar, sepse kjo është një band kriminelësh shumë perverse, sa që kam qenë në derë të banesës, dhe në fotografin e Triumf Rizës pas vdekjes së tij, patën shkruar largohuni brenda 72 orësh nga Kosova sepse të gjithëve do t’iu likuidojmë, kjo ka qenë 5 apo 6 muaj pas vrasjes, madje në forma të tjera kemi pasë kërcënime. Kot e kanë sepse nuk mundem të na frikësojnë, për këto kërcënime e kam njoftuar edhe Eulex-in, kryeprokurorin e shtetit dhe prokurorin”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur që Enver Sekiraqës, masa e arrestit shtëpiak t’i zëvendësohet me masën e paraqitjes në stacion policor një herë në javë.

Në një komunikatë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, thuhet se ky vendim u mor pasi Sekiraqa nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak gjatë kohës kur ishte nën këtë masë.

“Gjykata duke vepruar sipas detyrës zyrtare, të akuzuarit E.S i ndërprenë masën e arrestit shtëpiak dhe kundër të njëjtit cakton masën e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaji, ngase që nga data e caktimit të masës së arrestit shtëpiak me datë 15.10.2021 e deri me tash, i njëjti asnjëherë nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak. Duke pasur parasysh se i akuzuari gjendet nën masën e arrestit shtëpiak për më shumë se dy vite dhe se nuk ka pasur asnjë njoftim nga Policia e Kosovës se i njëjti në çfarëdo mënyre nuk e ka respektuar këtë masë, gjykata konsideron se edhe masa e paraqitjes në stacion policor, krijon kushte që procedura penale në këtë çështje të zhvillohet pa vështirësi”, shkruan në komunikatë.

Enver Sekiraqa, po akuzohet si shtytës për vrasjen e policit Triumf Riza, i cili u vra në vitin 2007.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat