“Një për të gjithë, të gjithë për një”

Aktuale

“Një për të gjithë, të gjithë për një”

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 20:33
Minatori i Trepçës

Minatorët ish-grevistë e kujtojnë me krenari kohën e rezistencës që i lëkundi themelet e Jugosllavisë. Parulla e tyre ishte ‘’një për të gjithë, të gjithë për një’’, e nga greva, 980 minatorë.

Vjen një djalë i tezes, thotë a po shkojmë? I thashë: po more, veç po kqyri çka po më thotë nana. Kur dikur nana na këqyri e tha: çka po pritni ju dy? Shkoni atje bashkonu.

Me lejen e nënës, i vetmi burrë i familjes, Rifat Uka, në ditën e pushimit iu bashkua grevës së minatorëve në vitin 1989.

Për 70 vjeçarin, të çmuara janë kujtimet e asaj kohe.

“Sot jam në Gjermani, vij nganjëherë këtu, kësajde shoh andrra, nuk shoh atje kurrë. Këtu, kjo derë këtu, ky restaurant këtu, këtu e kam dhanë shnetën, rininë”, tha ish-grevisti, Rifat Uka.

Ndërsa edhe sot e mban plisin Pajazit Tushmehmeti i cili nga Drenica merrte udhë çdo ditë për të punuar në minierën e Trepçës.

“Plisin me tirqe kam ardhë atë kohë, ndërkohë kam marrë shumë kritika mos me ardhë me plis, jo me na ardhë me tirqe”, u shpreh ish-grevisti, Pajazit Tushmehmeti.

E unitetin e grevistëve e kujton edhe ish punëtori Milazim Hyseni.

“Jemi kon një për të gjithë, të gjithë për një, edhe prej atëherë e kemi lëkund temelin e Jugosllavisë”, deklaroi ish-grevisti, Milazim Hyseni.

Kështu ka qenë edhe thirrja e parë e zërit të rezistencës së minatorëve të asaj kohe.

Por menjëherë pas, ish-drejtori Burhan Kavaja bashkë me qindra minatorë qëndruan në burgje muaj me radhë.

“Vet e keni zgjedhë, një për të gjithë, të gjithë për një. Prandaj na ndihmoftë Zoti. I rrezikum aq sa me mbarimin e grevës, kam qenë i ngujum në qeli 14 muj me gjithë shokët”, tha ish-drejtori i Trepçës, Burhan Kavaja.

Greva e urisë së minatorëve të Stantërgut kishte zgjatur tetë ditë me radhë, derisa ajo përfundoi me shtrimin në spital të 180 prej tyre.

Në grevë atë kohë ishin 1 mijë 300 minatorë të cilët për qëllim kishin mbrojtjen e autonomisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat