I dyshuar për vrasje në Oslo dhe i lidhur me ISIS-in: Kush është Visar Avdyli, i arrestuar në Kosovë?

Aktuale

I dyshuar për vrasje në Oslo dhe i lidhur me ISIS-in: Kush është Visar Avdyli, i arrestuar në Kosovë?

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 13:06
Visar Avdyli

Në tetor të vitit 2021 në Oslo kishte ndodhur një vrasje. Jetën e kishte humbur 20-vjeçari, Hamse Adan.

Për këtë krim të kryer ishin shpallur nga institucionet e Norvegjisë dy vëllezër me prejardhje nga Kosova, Visar dhe Valon Avdyli.

Sipas Policisë së Norvegjisë, një ditë pas krimit, dy vëllezërit ishin parë për herën e fundit teksa po vinin për t’u fshehur në Kosovë.

Megjithatë, fshehja nuk u zgjati shumë. Valon Avdyli ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar në Turqi, dhe më pas ishte dërguar për në Norvegji.

E vëllai i tij, Visari, është arrestuar sot në Ferizaj, ka njoftuar Policia e Kosovës.

“Personi i arrestuar, me inicialet V.A., i lindur në vitin 1989, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale "vrasje" të kryer në Oslo më 07.10.2021. Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera të cilat me gjase janë te falsifikuara”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Dy vëllezërit kishin të kaluar kriminale. Ata ishin dënuar për bashkëpunim e lidhje me organizatën terroriste ISIS, atje ku kishte humbur jetën edhe vëllai tjetër i tyre, Egzon Avdyli.

Vrasja e vitit 2021 dhe arratisja

Më 7 tetor të vitit 2021 Oslo ishin tronditur nga një vrasje. Jetën kishte humbur Hamse Adan, i cili ishte qëlluar me armë zjarri afër shkollës në vendin që njihet Lofsrud.

Institucionet e Norvegjisë menjëherë kishin shpallur në kërkim dy të dyshuarit kryesor: Valon e Visar Avdyli me prejardhje nga Kosova.

Mediat norvegjeze kishin raportuar se një ditë pas krimit dy vëllezërit ishin arratisur për në Kosovë, ku dyshoheshin se janë fshehur.

Megjithatë, në nëntorin e vitit të kaluar, Valoni ishte arrestuar në Turqi. Policia e Norvegjisë kishte mbajtur edhe një konferencë për media pas arrestimit.

“U ndanë burime të mëdha për të hetuar rastin. Dy ditë pas vrasjes, vëllezërit u larguan nga vendi. Disa ditë më vonë ne patëm një përparim në këtë çështje që do të thotë se ne i akuzuam ata për vrasjen”, pati thënë prokurori i policisë Børge Enoksen në konferencën për shtyp.

“Policia norvegjeze ka ndihmuar në këtë transport. Ai zbarkoi në Gardermoen pak para orës 17:00 dhe është arrestuar për vrasjen e Adanit. Tani ai është rrugës për në stacionin policor për të shpjeguar veten për rastin”, kishte deklaruar Enoksen.

Në atë konferencë, ishte përmendur edhe Kosova.

“Për arrestimin e tij janë përdorur burime të mëdha. Më pas ai u kontrollua nga autoritetet turke pasi nuk kishte letrat e duhura. Kemi marrë një mesazh nga Turqia dhe kemi punuar ngushtë me Kosovën. Ne kemi punuar në mënyrë të qëndrueshme. Është e rëndësishme të jesh i durueshëm dhe të kesh këmbëngulje me kalimin e kohës”, tha ai.

Aso kohe, vëllai i Valonit, Visari vazhdonte të ishte në arrati.

“Ai është edhe në kërkim ndërkombëtar, kështu që lëvizjet do të mund të përgjohen pa hyrë në detaje”, thotë ai për VG.

Avokati i dy vëllezërve, Svein Holden, kishte thënë se klientët e tij e mohojnë fajësinë.

Të dënuar për terrorizëm

Të dy vëllezërit kanë qenë më parë të dënuar për terrorizëm në Norvegji.

Në vitin 2016, dy vëllezërit u bënë të parët në Norvegji që u dënuan sipas seksionit të ri të terrorizmit.

Valon Avdyli u dënua për pjesëmarrje në organizatën terroriste IS, ndërsa Visar Avdyli u dënua se kishte tentuar t'i ofronte mbështetje materiale IS-it përmes vëllait të tretë, Egzon Avdylit.

Në aktgjykimin ndaj Valon Avdylit, Gjykata e Lartë shkruan se Avdyli ka ardhur në Norvegji si pesëvjeçar dhe se është rritur në Bærum. Ai ka një diplomë bachelor nga kolegji i marketingut dhe, sipas vendimit, u bë një musliman praktikues në vitin 2011. Më pas thuhet se ai ishte betuar për besnikëri ndaj IS.

Egzon Avdyli, tjetër vëlla i Valonit e Visarit, vdiq duke luftuar për IS në prill 2014.

Policia kishte thënë më parë se nuk sheh asnjë lidhje mes dënimeve të mëparshme dhe vrasjes së Mortensrud.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat