4-vjeçarja vdiq në QKUK, familjarët fajësojnë mjekët

Aktuale

4-vjeçarja vdiq në QKUK, familjarët fajësojnë mjekët

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 20:22
Arben Vitia viziton familjen e 4-vjeçares

Familja Shala në Gjakovë, ka hapur dyert për të pame.

Kjo pasi vajza e tyre, katërvjeçare, ndërroi jetë të hënën.

Nëna e Melisa Shalës, thotë se fillimisht vajzën e dërgoi në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjakovë.

“I thashë doktoricë, mi kanë ra cikës, qysh po më thotë cika se unë se kam pa, i thashë po du me ka këqyr edhe ma ka kapur temperatura shumë e madhe, nashta i kanë ra pak po i kalon edhe ma ka shkruar një daleron”

Familja Shala thotë se gjendja e Melisës u neglizhua nga mjekët, pasi nuk u përmirësua as kur u dërgua për herë të dytë tek mjeku.

“Kirurgu është i zënë në sallë, për dy orë nuk del. Duhet me prit. Vajza u kanë si flejtun..”

Për këtë rast mesditën e së mërkurës, nga Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, dolën me një komunikatë për media.

Në të thuhet se mbikëqyrja profesionale mjekësore për të miturën vazhdoi derisa u transportua për në QKUK.

“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë”

E nga QKUK thonë se e mitura vdiq si pasojë e Sepsës.

“Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse. Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024”

Për këtë rast, media ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policin janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”

Hetime për këtë rast, thonë se do të zhvillojnë edhe institucioni i Avokatit të Popullit.

Ndërsa të mërkurën reagoi edhe vetë ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.

Ky tha se për vdekjen e 4 vjeçarës, për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat