Tahiri e quan Bislimin zyrtarin më skandaloz të Kosovës

Aktuale

Tahiri e quan Bislimin zyrtarin më skandaloz të Kosovës

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 11:52
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e quajti zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, zyrtarin më skandaloz të Kosovës.

Teksa komentoi deklaratën e Bislimit, i cili ka thënë se për çështjen e dinarit s’do të marrë pjesë në një takim të thirrur në Bruksel nga Bashkimi Evropian, Tahiri tha se Qeveria aktuale tashmë i ka bërë shumë dëm Kosovës.

“Ai tashmë është një zyrtar i Kosovës skandaloz. Në këto dy vite e gjysmë në dialog, krejt produktet çka i kemi janë rezultat i negociatave të Bislimit dhe Kurtit. Tashmë këta njerëz dëmin e kanë bërë, neve na mbetet vetëm t’i dërgojmë në shtëpi sa më shpejtë”, deklaroi Tahiri.

Po ashtu, Tahiri tha se përpjekjet e tyre të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës, janë që Kosova të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Me ç’rast, mori shembull mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, teksa shtoi që s’ka kuptim të bëjnë kuorum, për aq kohë sa Kosova vazhdon të jetë nën sanksione.

“S’ka kuptim që ta bëjmë kuorumin dhe të votojmë marrëveshje ndërkombëtare, përderisa Kosova është nën sanksione dhe kur jemi nën kërcënim të vazhdueshëm për suspendim të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atëherë, çfarë kuptimi ka kur ne ndërkombëtarisht po izolohemi dhe të vazhdojmë të sillemi sikur çdo gjë është normale duke i votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Andaj, çdo përpjekje e jona në Kuvendin e Kosovës, është ta çojmë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, në mënyrë që ta nxjerrim nga izolimi ndërkombëtar dhe sanksionet”, shtoi tutje Tahiri.

Teksa në përfundim, shefi i PDK-së, tha se Qeveria aktuale s’është më kredibile për partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat