​Shqetësime për ndërhyrje në pavarësinë e KPM-së, mohohet nga pushteti

Aktuale

​Shqetësime për ndërhyrje në pavarësinë e KPM-së, mohohet nga pushteti

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 14:53
Foto ilustrim

Anëtarët e Komisionit të Pavarur për Medie (KPM), kanë raportuar sot në Komisionin parlamentar për Medie, për të tretën herë me radhë, në lidhje me vendimin e tyre për kthimin e kanaleve të “Arena Sport”-it në platforma kabllore. Gjatë diskutimit nga deputetët opozitarë u ngritën shqetësime për ndërhyrje në pavarësinë e KPM-së, gjë e cila u mohua nga deputetët e pushtetit. Në anën tjetër, u shpërfaqën edhe dallime brenda anëtarëve të KPM-së, ku mes tyre u tha se ka pasur kërkesa që çështja e “ArtMotion” dhe “DigitAlb” do të duhej dërgohej në Prokurori, por se kështu nuk kishte vepruar KPM-ja.

Anëtari i komisionit, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk duhet të rrezikohet pavarësia institucionale të KPM-së, derisa përmendi edhe reagimin e Bashkimit Evropian.

Tahiri: Ky diskutim po i bën dëme konceptit të institucioneve të pavarura

“Po bëhet një diskutim i cili po i bën dëme konceptit të institucioneve të pavarura. Nëse e shohim reagimin që e ka bërë BE-ja, ata shprehin breng serioze në raport me ndikimin tonë te një institucion i pavarur. Është totalisht e panevojshme sepse këtu është ajo vija e kuqe që ne nuk guxojmë me prek. Tash në kushte normale dhe një shtet që funksion kryetari i Kuvendit ose ti si kryetar i komisionit me ia dërgu një letër BE-së me i thënë ku e shkelëm pavarësinë. Nëse ta merr mendja që je i pastër t’i duhesh me iu drejtu atyre”, tha ai.

Megjithatë, kryetari i komisionit, deputeti i LVV-së, Valon Ramadani tha se është i bindur se nuk është shkelur pavarësia e KPM-së, në bazë të raportimit të anëtarëve të tyre në legjislativ.

Ramadani: Nuk është shkelur pavarësia e KPM-së

“Unë jam i bindur se ne jemi në respektim të rregullores së Kuvendit, por edhe të ligjit të KPM-së, më konkretisht nenit 3 kompetencat e KPM-së dhe nën paragrafit 2.8, ku thuhet se KPM-ja i paraqet Kuvendit të Kosovës deri në 31 mars të vitit vijues një raport vjetor”, theksoi Ramadani.

Në debat u përfshi edhe deputeti tjetër i LVV-së, Armend Muja, i cili nuk është anëtar i këtij komisioni, por që theksoi se KPM-ja duhet të sqarojë si e ka licencuar “ArenaSport” në Kosovë, kur e njëjta e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë.

Muja: Operatori që e keni licencuar nuk e njeh Kosovën si të pavarur

“Në raport me KPM-në janë dy çështje në dy muajt e fundit. Njëra është ligji për KPM-në dhe tjetra ArenaSport. Tash favorizoj të kemi një qasje të njëjtë ndaj KPM-së. Ajo çka vërejë te AGK-ja dhe të tjerët është se ne kur tentojmë të ndryshojmë ligjin këta thonë nuk jeni të pavarur, kur ne dëshirojmë të diskutojmë ArenaSportit thonë janë të pavarur. Tash a jeni të pavarur apo nuk jeni të pavarur...Operatori që e keni licencuar nuk e njeh Kosovës si të tillë, e njeh si pjesë të Serbisë. Po e licenconi një operator që Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë. Ne mendojmë se nuk është ashtu, kushtetuta e thotë se nuk është ashtu dhe ligji për KPM-në po ashtu”, tha Muja.

Në anën tjetër, anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu, tha se për këtë çështje ka pasur parregullsi dhe mungesë të transparencës edhe brenda KPM-së.

Sipas saj, çështja “ArtMotion” dhe “Digitalb” do të duhej të shkonte në Prokurori. Këtë kërkesë tha se ka mbështetur edhe anëtari tjetër i KPM-së, Fitim Veliu.

Aliu: Çështja e ArtMotion është dashur të shkojë në prokurori

“Kur ekziston dyshimi i një vepre penale çdo qytetarë në bazë të kodit penal është i obliguar të referojë rastin në prokurori. Aq më shumë kur je institucion që rregullon pjesën e televizionit. Në këtë rast nuk jemi pajtuar, kolegët kanë vendosur që rasti të referohet tutje te Avokati i Popullit, Inspektorati i Tregut, por pa u vënë në votim ky procedim i rastit. Vazhdoj me qenë e sigurt se kjo ka qenë një shkelje dhe këtë ia kam thënë edhe kolegëve. Një çështje me rëndësi të madhe të procedohet tutje me një e-mail, pasi që unë i kisha dërgu edhe një sqarim të Digitalb, e cila ishte në kundërshtim me sqarimin që na ka dhënë neve ArtMotion. Kjo është një provë e cila duhet të dërgohet në prokurori për të parë a ka ekzistuar mashtrimi ,jo vetëm ndaj qytetarëve por edhe ndaj KPM-së”, tha ai.

Megjithatë, në mungesë përkthimit të materialeve të dërguara, deputetët vendosën që kjo çështje të diskutohet edhe në mbledhjen e radhës të komisionit.

Pjesë e mbledhjes së sotme ishte edhe kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Nazim Rrahimi, i cili foli për shkeljet e kushteve të kontratave nga operatorët kabllorë.

Ai tha se në rregulloren e re i kanë dhënë të drejtë konsumatorit të shkëput kontratën, në rast se operatori ka ndryshim të kanaleve.

Rrahimi: Ne i kemi dhënë të drejtë konsumatorit të shkëput kontratën

“Me datë 5 shkurt, në mbledhjen bordit të ARKEP kemi hartuar rregulloren e re e cila adreson këtë çështje. Neni i cili është me interes për konsumatorët dhe për ju si deputetë ka të bëjë me çështjen e shkëputjes së kontratave për shërbimet e kombinuara, në rast se ndryshojnë kushtet e kontratës. Për pjesën e ndryshimeve të kushteve të kontratës tek pjesa e kanaleve televizive konstatimin do të jap KPM-ja, kurse tek pjesa e ndryshimeve të kushteve tek shërbimet e komunikimeve elektronike do të jap ARKEP. Me këtë ne kemi ardh në përfundim se në rast se konsumatori ka një kontratë valide me cilido operatorë të ofrimit të shërbimeve të kombinuara, ndryshon njëra prej kushteve në kontratë atëherë ne do t’i japim të drejtë konsumatorit të shkëput kontratën”, tha ai.

Edhe kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, ka thënë se në fillim të këtij viti kanë pranuar 340 ankesa se janë ndryshuar kanalet.

Ai ka thënë se konsumatori duhet të njoftojë 30 ditë më herët nëse ndryshojnë pakon operatorët.

Mehmeti: Këto janë shkeljet që i kanë bërë katër operatorët kabllorë

“I kemi analizuar secilën dhe kemi ardh në përfundim se janë katër operatorë të shpërndarjes nga 35 sosh që i kemi të licencuar të cilët, në një formë apo tjetër i kanë shkelur disa nene të KPM-së, rregullore kjo që paraqet detyrimet për operatorët e shpërndarjes. Një nga këto detyrime është që operatori i shpërndarjes do të njoftoj konsumatorin 30 ditë më herët nëse planifikon të largojë diçka nga pakoja që ka dhënë shërbimet. Po ashtu këta operatorë kanë bërë një shkelje tjetër të rregullores, ku nuk e kanë njoftuar KPM-në se nga data 1 janar do të ketë lëvizje të kanaleve, listën e të cilës e kanë dorëzuar në KPM më herët”, theksoi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat