Apeli e kthen Enver Sekiraqën në arrest shtëpiak

Aktuale

Apeli e kthen Enver Sekiraqën në arrest shtëpiak

Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 16:34
Enver Sekiraqa

Gjykata e Apelit, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndërsa ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me masën e të akuzuarit Enver Sekiraqa.

Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 9 shkurt 2024, të pandehurit Enver Sekiraqa i ishte ndërprerë masa e arrestit shtëpiak më 10 shkurt 2024, dhe ndaj të njëjtit ishte urdhëruar masa e paraqitjes në stacionin policor.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 23 shkurt 2024, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka ndryshuar, duke caktuar ndaj Sekiraqes përsëri masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaj.

Sipas këtij njoftimi, kjo masë do t’i llogaritet nga data 23 shkurt 2024 dhe se masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit është caktuar konform dispozitës ligjore nga nenin 181 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 e 1.2 të KPPRK.

Aktakuza ndaj Enver Sekiraqës ishte ngritur në prill 2014 për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj./BetimiperDrejtesi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat