Takimi me myftiun, Melihate Tërmkolli kërkon arrestimin e deputetes Duda Balje

Aktuale

Takimi me myftiun, Melihate Tërmkolli kërkon arrestimin e deputetes Duda Balje

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 11:27
Duda Balje dje është takuar me myftiun e Kosovës, Naim Tërnava.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovë, Melihate Tërmkolli, ka kërkuar arrestimin e deputetes Duda Balje, e cila dje është takuar me myftiun e Kosovës, Naim Tërnava.

Ajo ka vlerësuar se deputetja në fjalë, e cila është kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ka diskutuar me myftiun për miratimin e disa projektligje në Kuvendin e Kosovës.

Në profilin e saj në “Facebook”, Tërmkolli ka shkruar se veprimi i deputetes paraqet shkelje flagrante të Kushtetutës, që garanton karakterin laik të shtetit të Kosovës.

“Duda Balje si kryetare e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për të drejtat e njeriut dhe anëtarë tjerë të komisionit paskan mbajtë dje takim me kryetarin e BIK-ut, Naim Tërnavën për të trajtuar projektligje të Kuvendit. Kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës e cila garanton karakterin laik të shtetit të Kosovës. Sot, këta deputetë do të duhej të arrestoheshin dhe të përgjigjen para organeve të drejtësisë! A ka shtet këtu a çka dreqin po ndodhë me këtë vend?!”, ka shkruar Tërmkolli.

Një ditë më parë, BIK-u ka njoftuar se kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur në takim deputeten e Parlamentit të Kosovës, Duda Balje, ku kanë diskutuar për miratimin e disa projektligjeve.

“Gjatë këtij takimi u diskutua për shqetësimin e Myftiut Tërnava dhe të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, rreth ecurisë së miratimit të disa projektligjeve, e në veçanti miratimi i projektligjit për fertilizimin e asistuar, i cili kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes. Myftiu nuk la pa përmendur edhe takimin e përbashkët që kanë pasur edhe me prijësit e institucioneve të tjera fetare në vend, me të cilët edhe ka nënshkruar deklaratën e përbashkët për kundërshtimin e projektligjit që lejon martesat e së njëjtës gjini”, është thënë në njoftimin e BIK-ut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat