Konjufca: BE-ja s’ka kompetencë t’i propozojë Kosovës draft për Asociacionin

Aktuale

Konjufca: BE-ja s’ka kompetencë t’i propozojë Kosovës draft për Asociacionin

Më: 1 mars 2024 Në ora: 13:16
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë që t’i propozojë Kosovës draft të statutit për themelimin e Asociacionit.

Një ditë pas kërkesës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier që Kosova të dërgojë draftin e propozuar nga euro-amebikët në Gjykatë Kushtetuese, kryeparlamentari Konjufca, tha se Kosova nuk mundet të qëndrojë gatitu dhe çfarëdo drafti që BE-ja, propozon të dërgojë në kushtetuese.

Ai tha se kërkesën e ambasadorit amerikan e ka kuptuar në formën që Kosova t’i drejtohet me një draft të vetin Gjykatës Kushtetuese.

Konjufca: Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë që t’i propozojë Kosovës draft të statutit për Asociacionin

“I vetmi obligim që e ka Kosova është marrëveshja e vitit 2013. Mendoj se BE-ja nuk ka kompetencë me i propozu asociacion Kosovës. Është gabim me menduar se është kompetencë e BE-së neve me na caktu, kurse kompetencë e jona më dërgu në Gjykatën Kushtetuese. Ndoshta zotëri Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova të propozojë një draft të Asociacionit. Kjo është një temë tjetër. Unë nuk e kam kuptuar ashtu siç e paske kuptuar ti. Unë e kam kuptuar që Kosova me iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një draft, por unë nuk mendoj se është kompetencë e BE-së, me i propozu draft Kosovës dhe Kosova me qëndru gatitu dhe dërgu draftin që BE-ja e propozon. Nuk pajtohem me këtë procedurë”, tha Konjufca.

Ai shtoi se reagimi i amerikanëve ka ardhur më shumë për shkak të vendimit për dinarin, për të cilin theksoi se shumë lehtë mund të gjendet një zgjidhje.

Konjufca: Për çështjen e dinarit nuk është vështirë të gjendet një zgjidhje

“Më shumë ka qenë çështja e dinarit, e cila ka sjell te ky reagim i ShBA-së. Qeveria ka dhënë shpjegimet e veta se është mirë që mospajtimin po e kemi vetëm në aspektin kohor. Ata kanë kërkuar më shumë konsultime me komunitetin serb, por legaliteti i vendimit nuk po kontestohet. Kjo është një drejtë e Kosovës të cilën duhet të gjejmë modalitetin më të mirë që sesi të zbatohet dhe të përfitojnë të gjithë. Të ndalet kjo praktik vërtet e keqe e parave kesh, të cilat hynë me miliona-miliona dinarë në territorin e Kosovës. Por të njëjtën kohë komuniteti serb mos të ndihen i kërcënuar apo destabilizuar nga vendimet e tilla. Kjo është e mundshme të arrihet, nuk është vështirë të arrijmë një zgjidhje. Po ashtu, guvernatori i BQK-së edhe në takimin e Brukselit e ka shpjeguar një plan sesi të ndodh gjatë muajve të ardhshëm sesi të implementohen fazat, që mund të konsideroheshin si parapërgatitje, por edhe të shkohet drejtpërdrejtë në plotësimin e kornizës për heqjen e dinarit si valutë e përdorimit të transaksionit brenda Kosovës”, theksoi Konjufca.

Në anën tjetër, Konjufca e mirëpriti rezolutën e djeshme të Parlamentit Evropian, ku kërkohet qasje e re në dialog dhe largim të masave ndaj Kosovës.

Konjufca: Thirrja e Parlamentit Evropian është ajo më e duhura që na është nevojitur

“Thirrja e Parlamentit Evropian është ajo më e duhura që na është nevojitur. Më të vërtet pas 24 shtatorit, gjëja më absurde që ka ndodh prej bashkësisë ndërkombëtare është që Kosovës me iu vazhdu masat, Kosovës mos me iu heq të njëjtat. Të njëjtën kohë, Serbia i cili është drejtpërdrejtë sponsorizues i këtij grupi terrorist dhe në formë të një akti të agresionit e ka sulmuar Kosovën më 24 shtator. Kjo u vërtetua edhe prej informatave të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore se ky grup ka shfrytëzuar institucionet e sigurisë të shtetit të Serbisë për me u trajnuar dhe kryer të gjitha përgatitjet e tyre....Ndërkombëtarët disa e thonë, disa nuk e thonë, disa e thonë në përshpirtje, por kjo duhet të thuhet në raporte të cilat publikohen dhe mbajnë përgjegjëse Serbinë për këtë sulm. Tash kur mendohet e gjithë kjo unë nuk mund të kuptoj sesi Kosovës ende i vazhdohen masat të vendosura nga BE-ja”, theksoi Konjufca.

Duke folur për procesin gjyqësor ndaj tij, ku ditë më parë u lirua nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, Konjufca e tha se ka qenë pak i befasuar më atë vendim.

Konjufca: Vendimi i gjykatës ka qenë befasues për mua

“Që lirohem krejt kjo ka qenë befasi për mua të them të drejtën, për arsye se unë kam prit se do të jetë dënim me kusht ose me gjobë. Por gjykata me siguri është bazuar tek dëshmitarët. Nuk do të kisha problem që të isha edhe dënuar”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat