​Kuvendi i Lezhës, Kurti: Mbrojtja e vendit bëhet vetëm kur jemi të bashkuar në aleanca të drejta

Aktuale

​Kuvendi i Lezhës, Kurti: Mbrojtja e vendit bëhet vetëm kur jemi të bashkuar në aleanca të drejta

Më: 2 mars 2024 Në ora: 16:14
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar sot Kuvendin e Lezhës në 580-vjetorin e tij, si një nga organizimet më të suksesshme në historinë e popullit shqiptar.

Ai ka thënë se Kuvendi i Lezhës ofron shembullin se si jetësimi i idealeve politike, mbrojtja e vendit dhe e popullit, bëhen të mundura kur jemi të bashkuar dhe kur lidhemi me aleatë në aleanca të drejta.

“Kuvendi i Lezhës ishte një aleancë ushtarake dhe politike me "kapiten të përgjithshëm" Skënderbeun, që e faktorizoi Kryezotin e Arbërisë, duke e kthyer në prijës të një lëvizje të rezistencës antiosmane të cilës i priu me fitore të njëpasnjëshme betejash dhe sukses historik të pakrahasueshëm deri kur vdiq më 1468”, shkroi Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Në historinë politike të paraardhësve tanë, 2 marsi i vitit 1444 është data kur shenjohet një nga organizimet përbashkuese më të hershme dhe më të suksesshme ndër ne: Kuvendi i Lezhës! Sot u bënë 580 vite nga atëherë.

Tre muaj pasi ishte rebeluar dhe kishte ngritur flamurin e kryengritjes kundër osmanëve, strategu arbër Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbe, i thirri në një kuvend fisnikët arbër të cilët që nga viti 1415 ishin detyruar të përfshiheshin nën sistemin osman të timarit, teksa kryengritjet e tyre të dhjetë viteve të fundit nuk e kishin ndryshuar gjendjen. Fushata e gjatë ushtarake e Janosh Huniadit i kishte frenuar osmanët pranë territoreve të Hungarisë dhe Polonisë. Kjo e kishte detyruar Sulltan Muratin II që më 1444, të fillonte negociatat për paqe me të krishterët evropianë.

Në këtë situatë gjeopolitike, Skënderbeu i priu një lëvizje për bashkimin e forcave ushtarake të fisnikëve arbër, përballë fushatave pushtuese të Perandorisë Osmane. Për t’i çuar mesazh Republikës së Venedikut që nuk kishin asgjë kundër saj dhe për të shmangur animet mes tyre, fisnikët u mblodhën në Lezhë, që në atë kohë ndodhej nën zotërim venedikas. Nën drejtimin e Skënderbeut, më 2 mars 1444, në Kuvendin e Lezhës u mblodhën Gjergj Arianit Komneni, Andre Topia me dy bijtë Komnenin dhe Muzakën dhe nipin Tanushin; Lekë Zaharia; Nikollë dhe Pal Dukagjini, Lekë dhe Pjetër Dushmani; Pjetër Spani, Stefan Gjurashi etj.

Kuvendi i Lezhës ishte një aleancë ushtarake dhe politike me "kapiten të përgjithshëm" Skënderbeun, që e faktorizoi Kryezotin e Arbërisë, duke e kthyer në prijës të një lëvizje të rezistencës antiosmane të cilës i priu me fitore të njëpasnjëshme betejash dhe sukses historik të pakrahasueshëm deri kur vdiq më 1468.

Kuvendi i Lezhës është monumentalizuar edhe në veprën murale "Kuvendi i Lexhës", i punuar nga artisti Bashkim Zano Ahmeti, që ishte përuruar më 1 nëntor 1982, në Muzeun e Skënderbeut në Krujë.

Historia e Kuvendit të Lezhës dhe trashëgimia politike e tij, na ofron shembullin se si jetësimi i idealeve politike, mbrojtja e vendit dhe e popullit, bëhen të mundura kur jemi të bashkuar dhe kur lidhemi me aleatë në aleanca të drejta. Sepse politika është e pashkëputshme nga historia dhe sepse aleancat ushtarake dhe politike janë trajta më sipërane të politikë-bërjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat