​Kurti: Kosovës t’i jepet një shtysë e re drejt integrimeve evropiane, si përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë

Aktuale

​Kurti: Kosovës t’i jepet një shtysë e re drejt integrimeve evropiane, si përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë

Më: 4 mars 2024 Në ora: 13:57
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosovës duhet t’i jepet një shtysë e re drejt integrimeve evropiane, si përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë që vijnë nga Serbia. Sipas kreut qeveritar, meqenëse Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO dhe BE, ajo po kërkon të pengojë përparimin e tërë Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.

Kurti në konferencën “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, kërkoi nga Bashkimi Evropian që ndaj Serbisë të përdorë qasje të njëjtë sikurse ndaj Rusisë.

Siç tha Kurti, përparimi demokratik i Kosovës duhet të mbështetet nga BE-ja, duke i dhënë statusin e vendit kandidat dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kurti: Kosovës duhet t’i jepet një shtysë e re drejt integrimeve evropiane

“Meqenëse Serbia nuk është e interesuar në anëtarësimin në NATO dhe BE, ajo kërkon të pengojë përparimin e tërë rajonit. Bashkimi Evropian dhe NATO iu janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë dhe kërcënimeve të sigurisë ndaj Evropës, jo duke përkledhur Putinin, por duke sjell Finlandën dhe Suedinë në NATO dhe duke iu dhënë statusin e kandidatit Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë. Kërcënimet e sigurisë ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të adresohen në të njëjtën qasje duke i dhënë edhe Kosovës statusin e kandidatit në BE dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.

Kurti shtoi se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij, Serbia solli katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, sponsorizoi terroristë dhe se vazhdimisht shpërndanë gënjeshtra dhe narrativë të rremë për të justifikuar aktet agresive ndaj Kosovës dhe rajonit.

Kurti: Regjimi autokratik në Serbi është nxitur prej pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë

“Ne këtu në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur prej pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë ata katër herë e kanë sjell ushtrinë te kufiri jonë. Po ashtu, kanë sponsorizuar terrorizmin dhe kanë shpërndarë vazhdimisht gënjeshtëra dhe narrative të rrejshme për të përligjur veprat e tyre agresive ndaj Kosovës dhe tërë rajonit. Nuk mund të jemi të vetëkënaqur, nuk mund të marrim si të mirëqenë demokracinë apo përparimin tonë”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër, nikoqiri i kësaj konference, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se për Kosovën termi trans-atlantik është shumë i rëndësishëm, pasi vet liria dhe shtet-ndërtimi kanë ardhur nga koordinimi trans-atlantik.

Andaj, sipas tij diplomacia vazhdon të jetë kyçe në marrëdhëniet ndërkombëtare, derisa edhe foli për rolin e diplomacisë parlamentare.

Konjufca: Për Republikën e Kosovës dhe popullin e Kosovës, termi trans-atlantik është shumë i rëndësishëm

“Për Republikën e Kosovës dhe popullin e Kosovës, termi trans-atlantik është shumë i rëndësishëm. Ne jemi dyshimtarë se pa funksionimin e trans-atlantikes do të kishte me qenë e vështirë edhe vet liria e Kosovës, po ashtu shtet-ndërtimi i Kosovës ishte një proces shumë i koordinuara trans-atlantik... Diplomaci parlamentare për ne do të thotë forcim i miqësive me parlamentet e vendeve mike, por edhe krijimi i miqësive të reja me deputetë dhe përfaqësues të vendeve që ende se kanë njohur Kosovën”, theksoi ai.

Ndërkaq, drejtori i Friedrich-Ebert-Stiftung për Kosovë, Peter Hurrelbrink, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian për Ballkanin Perëndimor, por edhe bashkëpunimi rajonal është shumë me rëndësi, por kjo kërkon një numër të madh reformash.

Hurrelbrink: Është e rëndësishme që të diskutohet për sfidat në siguri, luftimin e krimit dhe korrupsionit

“Është e rëndësishme që të diskutohet për sfidat në siguri, luftimin e krimit dhe korrupsionit, përfshirjen e shoqërisë civil dhe mediave në rolin primar dhe shumë reforma tjera që duhet të bëhen për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, tha Hurrelbrink.

Në kuadër të paneleve diskutuese, ishte edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili tha se është shumë e vështirë të flitet për bashkëpunim ekonomik në rajon, pa horizontin e qartë dhe të përbashkët politik.

Bushati: Është shumë e vështirë të flitet për bashkëpunim ekonomik në rajon, pa horizontin e qartë dhe të përbashkët politik

“Kur Serbia që organizoi agresionin në Bajnska, në qarqet e politikave të BE-së kishte njerëz që mendonin se ndoshta Kosova është ajo e cila po e ekzagjeronte pak. Dhe vetëm dy-tre ditë më parë, kur revista Time raportoi në thelb për atë që ndodhi, njerëzit filluan të mendojnë se 'ah ndoshta nuk ishte Kosova, ndoshta ishte Serbia'. Pra, ne duhet ta përballojmë këtë realitet ashtu siç është dhe duhet ta konsiderojmë procesin e zgjerimit si një proces gjeopolitik para së gjithash. Duhet të jemi të qartë me njëri-tjetrin se është shumë e vështirë të flasim për Bashkëpunim Ekonomik pa horizontin e qartë dhe të përbashkët politik. Pika ime e dytë është në lidhje me bashkëpunimin rajonal. Ne dëgjojmë gjithnjë e më shumë, dhe fatkeqësisht këtë e dëgjojmë edhe nga Komisioneri i Zgjerimit. Dua të them, ndoshta është hera e parë në histori që dëgjoj një Komisioner të Zgjerimit të flasë për rrugë, për rrugë të shpejta në rajon dhe nuk flet për sundimin e ligjit”, theksoi Bushati.

Në panel ishte po ashtu edhe deputeti i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, i cili theksoi nevojën e bashkëpunimit dhe përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mandl: Të ketë ura bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor

“ Përafrimi i Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi mendoj se secila nga këto fjalë është kuptimplotë dhe tregon shumë...Flet për ndërtim të urave, jo fokusim në probleme por edhe tejkalim të problemeve duke ndërtuar urat drejtë zgjidhjeve. Po ashtu përmendet edhe bashkëpunimi, kjo është më domethënës pasi po jetojmë në një botë të konfrontimeve”, theksoi ai.

Konferenca “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, ka vazhduar punimet gjatë së hënës edhe me panele të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat