“Derisa m’kanë ba gjak”, dëshmitarët tregojnë se si i sulmoi i akuzuari Bajroviq bashkë me policë tjerë

Aktuale

“Derisa m’kanë ba gjak”, dëshmitarët tregojnë se si i sulmoi i akuzuari Bajroviq bashkë me policë tjerë

Më: 4 mars 2024 Në ora: 18:31
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Ekrem Bajroviq, dëshmitarët F.G dhe Beqir Zogaj, kanë treguar se si i akuzuari i kishte sulmuar, njërin bashkë me një polic, e tjetrin bashkë me dy.

Në këtë rast, Prokuroria e ngarkon Ekrem Bajroviqin për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999, kundër popullsisë civile në Komunën e Istogut dhe fshatrave përreth, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarit F.G., deklaroi se kur e kishte takuar të akuzuarin Bajroviq, ky i fundit me dy policë të tjerë kishte pasur edhe kallashnikov dhe e kishin sulmuar.

“Me të majtën e ka mbajtë e ka pasë kallashnikovin, e me dorë të djathtë m’ka ra. Kurrë s’e harroj, me të majtën e majke kallashnikovin përpjetë”, deklaroi dëshmitari F.G.

Ai rrëfeu se si tre policë, në mesin e tyre edhe i akuzuari Bajroviq, e kanë ndaluar atë në fshatin Gurrakoc, gjatë kohës sa ai kishte qenë me gruan dhe djalin e tij me veturë dhe e kanë goditur me grusht në fytyrë.

Ky veprim, ai tha se kishte ndodhur vetëm pse dëshmitari kishte folur në gjuhën shqipe e jo në gjuhën serbe, e nga ajo goditje, sipas tij edhe sot i vuan pasojat shëndetësore.

“Jam kanë t’u shku te dajtë e shoqes pasi që ka vdek daja i grusë. Në fshatin Gurrakoc u kanë punkti i këtyre milicëve ku më kanë ndalu dhe m’i kanë lyp dokumentat, ja kam dhanë dokumentatat dhe më ka thanë dil prej kerrit, jam dalë dhe më ka thanë qele bagazhin e unë kam nisë me fol shqip, gjuhën tonë, ata më kanë thanë nuk munesh me fol shqip, por fol serbisht se këtu asht Serbi e jo Shqipni, e më ka ra grusht në fytyrë”, tha F.G.

Në pyetjen e prokurorit special, Ilir Morina lidhur me lëndimet të cilat i ka marrë, dëshmitari deklaroi se prej goditjes i janë thyer dy dhëmbë të cilët nuk i ka zëvëndësuar ende.

Për dëshmitarin F.G., pas kërkesës së prokurorit, gjykatësi Mentor Bajraktari mori vendim që të raportohet me iniciale, me arsyetimin se është dëshmitar edhe në një rast tjetër të ngjashëm.

Në këtë seancë, gjithashtu u dëgjua edhe dëshmitari Beqir Zogaj, i cili pohoi se të akuzuarin e njeh si pjesëtar të policisë serbe.

I pyetur se kur e ka takuar të akuzuarin, Zogaj tha se me të është ballafaquar në oborrin e shtëpisë së tij, bashkë me dy policë të tjerë, ku dy prej tyre e sulmuan deri në gjakosje, pas bastisjes së shtëpisë së tij.

“Kur janë dalë m’kanë shty e m’kanë gju shkallëve, nërsy familjes, i pari m’ka ra Vesku. Unë i thashë ma se marre para anëtarëve të familjes dhe kur janë dalë në rrugë më kanë sjellë dytë, Vesku edhe Ekremi”, tha dëshmitari Zogaj.

Ai theksoi se personi Vesku dhe i akuzuari Bajroviq e kanë sulmuar derisa është përgjakur në gjithë fytyrën.

“Vesku e ka hek kallashin dhe m’sjellke si bokser e kallashin ja ka dhanë Sadrisë. Ndërsa Ekremi më gjujke me shkelma prej Veskut, ai prej atij e ky prej ktij, derisa m’kanë ba gjak me hunë, gojë e vesh e gjithë fytyrën. Për nja gjysë ore më kanë rreh e m’kanë lanë në rrugë”, tha dëshmitari Zogaj.

Prokurori e pyeti lidhur me arsyen e sulmit, kurse dëshmitari theksoi se policët i kanë kërkuar ta hapin dyqanin, i cili ishte pronë e vëllait të tij.

Pas refuzimit për ta hapur dyqanin me arsyen se nuk punonte aty, ai tha se policët i hynë në shtëpi për ta kontrolluar lidhur me posedim të armëve.

Sipas dëshmitarit Zogaj, pasi që i akuzuari dhe dy policët tjerë, nuk gjetën armë në shtëpinë e tij, e kanë shtyrë dhe e kanë sulmuar derisa ata vetë janë lodhur.

Dëshmitari Zogaj deklaroi gjithashtu se nuk kishte poseduar kurrë armë para sulmit, por pas sulmit, në korrik të vitit 1998, ka shkuar në Gllogjan ku edhe është armatosur për herë të parë, por për t’iu bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kurrë s’jam marrë me armë, asnjë dosje të keqe s’e kam pasë, jam kanë punëtor, e tani masi m’kanë rrehë jam rujtë. Në korrik të ‘98-ës jam shku në Gllogjan e jam armatosë, e ma s’kam nejtë pa armë”, tha dëshmitari Zogaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 15 shtator 2023, Ekrem Bajroviq po akuzohet gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.

Bajroviq akuzohet se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni KETU 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat