​Osmani: Mosndëshkimi i kriminelëve serbë ka trimëruar trashëgimtarët e tyre

Aktuale

​Osmani: Mosndëshkimi i kriminelëve serbë ka trimëruar trashëgimtarët e tyre

Më: 5 mars 2024 Në ora: 14:46
Foto nga vendngjarja

Kuadratet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë rreshtuar të martën në kazermën “Adem Jashari”, për nder të 26-vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Krerët e shtetit, pasi bën homazhe pranë obeliskut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thanë se Epopeja e Prekazit ka sjellë ndryshimin e kursit për liri dhe pavarësi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para ushtarëve të FSK-së, tha se mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve serb të luftës ka trimëruar trashëgimtarët e tyre, siç është rasti me agresionin e Serbisë kundër Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar.

Megjithatë, ajo nënvizoi se Kosova është një realitet i pakthyeshëm, shtet sovran dhe me integritet territorial të qartë. Ajo shtoi se Kosova do të mbrojë lirinë dhe paqen me çdo kusht.

Osmani: Do ta mbrojmë lirinë dhe paqen me çdo kusht

“Me mijëra djem dhe vajza iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën e tyre vetëm që Kosova të frymonte e lirë. Të nderuar të pranishëm, si çdoherë shprehim vlerësimin e mirënjohjen, nderimin dhe respektin me përkulje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët e lirisë, nder dhe respekt edhe për të gjithë veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së dhe familjet e të gjithë të rënëve... Mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve serb të luftës ka trimëruar trashëgimtarët e tyre, siç ishte rasti me agresionin e Serbisë kundër Kosovës më 24 shtator. Por, në këtë ditë të lavdishme, ua rikujtojmë se Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, është shtet i konsoliduar me sovranitet shtetëror dhe integritet territorial të qartë dhe të njohur ndërkombëtarisht. Me kushtetutë e me institucione të bazuara në vlerat më të larta dhe me vizion të qartë drejt integrimeve euro-atlantike”, tha presidentja Osmani.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, tha se ledhatimi i padrejtësisë nuk do të sjellë asnjëherë paqen, duke theksuar se popullin e mban ideali i kulluar i Epopesë së Jasharajve.

Kurti: Ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë kurrë paqen

“Ky vend mban emrin e duhur dhe njerëzit e duhur. Në një vend çlirimtarësh, ushtria është vendi i drejt për të përkujtuar epopenë. Ne e njohim historinë tonë, ne e vlerësojmë historinë tonë, sepse ajo është e dendur në emra dhe vepra. Ne nderojmë historinë tonë, sepse e njohim në tërësinë e shoqërisë, ngado ku shkojmë në botë me historinë tonë në zemër. Brenda çdo pragu në familjet tona këtu dhe në mërgatën kudo që ndodhen. Ne jemi shumë sepse bartim në mendje emra të shquar. Secili është më shumë se vetvetja. E ajo që jemi më shumë se vetvetja na bënë të gjithëve bashkë. Kjo na jep besim dhe besë. Jetë dhe shpresë. Shumë nga ju janë bijtë e dëshmorëve dhe luftëtarëve ose qëndrestarëve në burgjet jugosllave dhe serbe. Të nderuara ushtrake dhe ushtarak tani epoka po flet ndryshe. Së pari sepse ne jemi shtet i pavarur dhe kemi ushtrinë tonë. Ne jemi shtet i një populli gjithnjë liridashës dhe mbrojtës i kampit të drejtësisë. Shteti i një shoqërie që synon zhvillimet perëndimore e demokratike. Ne jemi pjesë e një kombi që mbron me ushtrinë e vet idenë e praktikën e drejtësisë dhe lirisë. Nuk ka në këtë jetë njerëzore lavd më të madh sesa qëndrimi nga ana e drejtësisë dhe lirisë. Së dyti, sepse epoka dhe vetëdija botërore po ndryshojnë. Po kuptohet gjithandej në kancelaritë e fuqishme se ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë kurrë paqen, por të kundërtën e saj. Korruptimin e shoqërive dhe luftën mes popujve. Paqja dhe padrejtësia nuk mund të bashkëjetojnë", deklaroi Kurti.

Në anën tjetër, Lulzim Jashari, djali i komandantit Adem Jashari, tha se në këtë ditë të shënuar është nder të flasësh para uniformës së ushtarëve tanë.

Ai theksoi se arma e shqiptarit është arma më e pastër në Ballkan, që ka shkrepur vetëm në emër të mbrojtjes së shtetit, të kombit dhe në emër të lirisë.

Jashari: Arma e shqiptarit është më e pastra në Ballkan, ka shkrepur vetëm në mbrojtje të shtetit dhe kombit

"Në këtë ditë të shënuar është nder të flasësh para uniformës së ushtarëve tanë. Para atyre që po të jetë nevoja do të jenë të parët që do ta japin jetën për mbrojtjen e atdheut. Nëntori dhe marsi janë muaj kur ne më shumë se herëve të tjera kthejmë vështrimin për të parë traditën tonë, por edhe për vlerësuar të tashmen dhe planifikuar të ardhmen. Të dashur ushtarë ju keni një traditë të pastër dhe pasur. Traditën e luftëtarëve të Skënderbeut, luftëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, luftëtarëve që shpallën Shqipërinë të pavarur dhe traditën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë atyre që luftuan për lirinë dhe nderin e kombit. Duhet të jeni shumë krenar që mbani mbi supe këtë traditë. Duhet të jeni shumë krenar që mbani mbi supe traditën. Armët tuaja janë vazhdimësi e armëve më të pastra në Ballkan dhe më gjerë. Armët e paraardhësve nuk i ndotën kurrë me gjakun e civilëve, ato shënjestruan vetëm uniformën e pushtueseve. Arma e shqiptarit si arma më e pastër në Ballkan, shkrepi vetëm në emër të mbrojtës së shtetit dhe kombit. Pra vetëm në emër të lirisë", tha Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat