Rasti i Visametric, avokati: Nga ekspertiza del se kjo kompani ka fituar jashtëligjshëm mbi 1.5 milion euro

Aktuale

Rasti i Visametric, avokati: Nga ekspertiza del se kjo kompani ka fituar jashtëligjshëm mbi 1.5 milion euro

Më: 5 mars 2024 Në ora: 16:05
Pamje nga vendi i ngjarjes

Avokati Flamur Abdullahu ka thënë se padia kolektive kundër Visametric për detyrimin e pagesës së shërbimeve postare po merr epilog në Gjykatën Komerciale.

Ai ka thënë se ekspertiza financiare tregon që vlera që Visametric ka përfituar jashtëligjshëm është 1 milion e 579 mijë e 530 euro. Mirëpo ai thotë se sipas vlerësimit të tij dëmi është rreth 3 milionë euro

“Nga ekspertiza financiare rrjedh se vlera që Visametric ka përfituar kundërligjshëm nga detyrimi për pagesë të postës dhe pagesës Prime time është 1,579,530.00 Euro. Sipas vlerësimit tim duke llogaritur numrin e aplikuesve për viza, konsideroj se ky dëm është rreth 3,000,000.00 Euro. Mirëpo, Visametric ka refuzuar zbatimin e Vendimit të Gjykatës për dhënien e informatave të kërkuara. Prandaj, eksperti financiar ka arritur të llogarisë vetëm sasinë e plikove/zarfeve të Visametric, por jo edhe numrin e aplikantëve / pasaportave të procesuara.”

Abdullahu ka thënë se Visametric nuk ka ofruar të dhënat nën arsyetimin se po i mbron të dhënat personale.

“Për ironi, Visametric nuk kursente qytetarët nga detyrimi jo ligjor për pagesë postare, ndërsa edhe përkundër urdhërit të Gjykatës,  nuk ka ofruar të dhënat e kërkuara me arsyetimin se po i “mbron” të dhënat personale të qytetarëve të Kosovës nga Gjykata e Republikës tonë.”

Këto të dhëna Abdullahu ka thënë se i kanë kërkuar nga AIP mirëpo thotë se kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Vlen të përmendet që kemi kërkuar nga institucione tjera të nxirren këto të dhëna, por, kërkesa në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për ta urdhëruar Visametric-un që t’ia jap informatat Ekspertit financiar-gjyqësor sipas Vendimit të Gjykatës, fatkeqësisht ka hasur në vesh të shurdhër.”

“Tani, me qëllim të finalizimit të këtij procesi sa më drejtë ju njoftoj se të gjithë qytetarët qe janë detyruar nga VISAMETRIC të paguajnë postën dhe shërbimin Prime Time nga data 13.10.2022 deri me 15.05.2023, mund t’i bashkëngjiten procesit gjyqësor kundër VISAMETRIC, për kompensimin e dëmit në kuadër të Padisë Kolektive të inicuar për herë të parë në Republikën e Kosovës.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat