Ramadani: Nëse dëmtohet edhe partneriteti praktik i sigurisë kjo do të paraqiste një fazë dëshpëruese për të ardhmen e Kosovës

Aktuale

Ramadani: Nëse dëmtohet edhe partneriteti praktik i sigurisë kjo do të paraqiste një fazë dëshpëruese për të ardhmen e Kosovës

Më: 5 mars 2024 Në ora: 17:23
Burim Ramdani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po kritikohet vazhdimisht për mos ruajtje të raporteve me shtetet aleate e sidomos pas reagimit të dytë e goxha të ashpër të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i cili tha se SHBA-të janë miq të Kosovës mirëpo jo deri në atë pikë sa të mirëpresin çdo vendim të çdo qeverie.

E në lidhje me këtë, Burim Ramdani, ish shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ka thënë se vendi vetëm ka nisur ti vuajë pasojat e kësaj qasjeje të qeverisë.

Sipas Ramadanit pasoja e parë ishte në Këshillin e Sigurisë të OKB-së ku SHBA-ja nuk mund të argumentonte pa i dhënë edhe Kosovës po ashtu kritika të forta.

“Kosova veç po i vuan disa nga mungesat e mbrojtjes së pakushte Amerikane, për shkak të mungesës së qasjes së përbashkët në trajtimin strategjik të çështjeve. Pasoja e parë direkte ishte në KS të OKB-së, ku SHBA e kishte të pamundur të argumentojë gjatë mbledhjes pa dhënë kritika të forta ndaj Kosovës po ashtu.  Kjo është në linjë të njëjtë me paralajmërimet e vazhdueshme të Ambasadorit Amerikan në Kosovë”, ka thënë ai.

Eksperti i sigurisë ka kërkuar nga qeveria që ti përgjigjet apelit të ambasadorit amerikan para se pasojat e mos mbrojtjes së Kosovës të prekin thellësisht vendin.

“Apelimi i ambasadorit duhet të prek ndërgjegjen institucionale dhe qytetare të të gjithëve në Kosovë, para se pasojat e mos mbështetjes ‘blanko’ të mos i ndjejë shteti thellësisht.  Përpos aspektit diplomatik, është tejet e domosdoshme që Kosova ta ruajë lidhjen speciale në aspektin e sigurisë me SHBA-në. Kam frikë se pas apelimit dhe lutjes amerikane për qasje të përbashkët strategjike, Kosova mund të dëmtohet edhe në partneritetin praktik të sigurisë dhe kjo do të paraqiste një fazë dëshpëruese për të ardhmen e Kosovës”, tha ai.

Kujtojmë se kësaj here “mollë sherri”, u bë rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, dhe vendimi për dinarin.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier në dy deklarata publike u tregua goxha i ashpër derisa herën e fundit i kujtoi qeverisë Kurti se SHBA-të nuk janë aty për tu pajtuar e për të mbrojtur çdo vendim të tyre.

Derisa po ashtu demantoi edhe deklaratat e kryeministrit Kurti i cili tha se raportet e Kosovës me Amerikën nuk janë prekur.

“Mesazhi jonë ka qenë i qartë. SHBA është shqetësuar për formën se si këto rregullime kanë hyrë në fuqi. Ne kemi kërkuar nga Qeveria që vendimi të shtyhet pasi që duhet të ketë procedurë për serbët në transferimin e parave në bazë të ligjeve të BE-së. Kjo do të duhej të diskutohej në dialog”, kishte deklaruar Hovenier.

Hovenier tha se çdo zyrtar i qeverisë që thotë se marrëdhëniet Kosovë – SHBA nuk janë prekur, nuk e thotë të vërtetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat