Hoti: Intervista e Lajçak tregon ku është katandisur Kosova, Marrëveshja e Brukselit nuk siguron njohje reciproke

Aktuale

Hoti: Intervista e Lajçak tregon ku është katandisur Kosova, Marrëveshja e Brukselit nuk siguron njohje reciproke

Më: 5 mars 2024 Në ora: 19:35
Avdullah Hoti

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas intervistës me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se kjo intervistë tregon se ku është katandisur Kosova, teksa sipas tij, tash e tri vite nën qeverisjen e Albin Kurti, nuk ka transparencë në procesin e dialogut.

Ai më tej ngre alarmin se marrëveshja e arritur në Bruksel vitin e shkuar dhe aneksi i zbatimit në Ohër, nuk sigurojnë njohje reciproke.

“Lexojeni intervistën e ndërmjetësit të BE-së për dialog në Nacionale.com dhe do ta kuptoni ku është katandisur Kosova. Tri vite dialog pa asnjë transparencë ndaj Kuvendit dhe qytetarëve. Marrëveshja e Brukselit/Ohrit, jo që nuk siguron njohje reciproke, por e kushtëzon progresin euro-integrues të Kosovës dhe njohjet e anëtarësimet e saj në organizata ndërkombëtare me themelimin e asociacionit”, shkroi Hoti.

Deputeti i LDK-së ka thënë se është e pakuptueshme heqja dorë nga dialogu pë rmarrëveshje finale.

“Është e pakuptueshme pse është hequr dorë nga DIALOGU PËR MARRËVESHJE FINALE, LIGJËRISHT E OBLIGUESHME, PËR NJOHJE RECIPROKE DHE NORMALIZIM TË MARRËDHËNIEVE, KU NUK PRANOHET ASGJË PA U DAKORDUA PËR TË GJITHA, për të cilin format të dialogut ka pasur dakordim me aleatët kryesorë në qeverinë paraprake”, shkroi më tej Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat