Hasani për mesazhet e Lajçak: Një ton tritol në shtetësinë e Kosovës, këto përralla t’ia tregojë ndonjë çobani në Sllovaki

Aktuale

Hasani për mesazhet e Lajçak: Një ton tritol në shtetësinë e Kosovës, këto përralla t’ia tregojë ndonjë çobani në Sllovaki

Më: 6 mars 2024 Në ora: 17:29
Enver Hasani

Enver Hasani i ka cilësuar “tallje me elitën profesionale në Kosovë” deklarimet e ndërmjetësit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Dy nga çështjet e rëndësishme që Lajçak përmendi në një intervistë të hënën, janë aludimi i një ‘miksi jetese’ juridikisht në mes të Rezolutës 1244 dhe Arbitrazhit në Asociacion.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, profesori Enver Hasani tha se Lajçak ka folur për Kosovën sikur të jetë viti ’69 i shekullit të kaluar.

“E kam lexuar intervistën në fjalë. Në te ka shumë gjëra që janë tallje me elitën profesionale në Kosovë, me kuptim në rend të parë juristët dhe politologët. Zoti Lajçak flet për Kosovën sikur të kishte qenë viti ’60 i shekullit të kaluar, kur analfabetizmi ka qenë i lartë, për të mos thënë i skajshëm. Kosova siç dihet ka një universitet me pak më shumë katër dekada, kurse disa të tjerë me nga një dekadë, që kanë prodhuar juristë politologë që kanë njohuri themelore për gjërat për të cilat flet zoti Lajçak. Ndër to është edhe statusi i Rezolutës 1244 dhe i mekanizmit të arbitrazhit”, ka thënë Hasani.

“Çdo jurist normal dhe politolog mesatar e din që rezolutat e Këshillit të Sigurimit që merren sipas kapitullit VII të Kartës së OKB janë kundër sovranitetin shtetëror të shtetit ose shteteve ndaj të cilëve zbatohen. E tillë është edhe Rezoluta 1244 e OKB. Ajo formalisht është në fuqi, por me shpalljen e pavarësisë së vendi, ajo nuk mund të ketë asnjë fuqi normative për çështjet e qeverisjes. Një fuqi të tillë e ka pasur, bazuar në zotimin e Kosovës sipas Deklaratës së Pavarësisë, vetëm në periudhën pavarësisë së mbikëqyrur. Rikthimi i saj sot, thënë figurativisht, është futje një toni tritol në themelet e sovranitetit dhe pavarësisë së Shtetit të Kosovës”, ka thënë Hasani.

Hasani ka kritikuar edhe zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog, Besnik Bislimin e kryeministrin Albin Kurti.

“Ai [Besnik Bislimi, v.j] dhe shefi tij duhet ta dinë se Kosovës ia kanë shtuar një barrë të madhe, kanë krijuar autonomi politike dhe territoriale serbe dhe një status special për Kishën serbe dhe çdo objekt kulturor e historik serb, shkurt kanë prishur karakterin unitar të Shtetit të Kosovës dhe sovranitetin e tij territorial. Besniku duhet ta di që marrëveshjet e shefit të tij në Bruksel dhe Ohër, vitin që shkoi, janë të detyrueshme dhe Kosova nuk ka çare pa i zbatuar!”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat