​Akademik Rexhep Qosja përkujton Jasharët në 26-vjetorin e rënies heroike

Aktuale

​Akademik Rexhep Qosja përkujton Jasharët në 26-vjetorin e rënies heroike

Më: 6 mars 2024 Në ora: 21:07
Adem Jashari

Në 26-vjetorin e shënimit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akademiku Rexhep Qosja ka përkujtuar komandantin legjendar Adem Jashari me një fjalim të tij të mbajtur në një akademi përkujtimore më 5 mars 2000.

Ai ka thënë se Kosova e lirë është rezultat i heroizmit të madhe të Adem Jasharit, familjes së tij, shokëve të tij, UÇK-së dhe me përkrahjen e SHBA-së e NATO-s.

“Bëma e Adem Jasharit është aq më e pazakonshme, sepse është njëkohësisht bëmë e familjes së tij. Kallëzimi për të, prandaj, duket si një kallëzim imagjinar, si një nga ato kallëzimet e lashta, legjendare, në të cilat njeriu e kalon masën tokësore dhe përjetohet si mbinjeri”.

Fjalimi i plotë i postuar sot në Facebook:

Adem Jashari madhështia e tij e sotme dhe e gjithmonshme historike

Evropa ka shumëçka që ne nuk e kemi, por ne kemi diçka që nuk ka Evropa. Ne e kemi Kryekomandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jasharin i cili me pjesëtarët e familjes të të gjitha moshave u sakrifikuan heroikisht për lirinë e popullit të vet dhe për lirinë dhe pavarësinë e vendit të vet.

Me 5, 6 e 7 mars e shënojmë përvjetorin e sakrificës së lavdishme të Adem Jasharit dhe familjes Jashari.

Është ky përvjetor i dhembjes sonë të madhe dhe i krenarisë sonë të gjithmonshme.

Është ky përvjetor i jashtëzakonshëm në historinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi – një përvjetor i jashtëzakonshëm, madje, jo vetëm në historinë e popullit shqiptar.

Ajo që Adem Jasharin e bën figurë historike është forca e vullnetit, është karakteri heroik, është burrëria legjendare, është bëma e pazakonshme, në të cilën njeriu e ka kaluar masën e njeriut.

Adem Jashari nuk ka kryer fakultet të historisë, por historinë e ka kuptuar më mirë se shumë nga vijuesit e fakulteteve të tilla.

Historinë e ka mësuar aty ku gjithmonë më së miri është kuptuar historia: në dhembjet e popullit, në këngën, në kallëzimin, në traditën e popullit.

Adem Jashari nuk ka kryer akademi ushtarake ku mësohet për luftërat, por luftën e ka kuptuar më mirë se shumë nga vijuesit e akademive të tilla.

Luftën e ka mësuar aty ku gjithmonë më së mirë është kuptuar lufta: në virtytin, në dinjitetin, në lavdinë, në përkushtimet liridashëse si kulte të kultivuara në vendlindjen e tij heroike – në Drenicë.

Aty ai ka mësuar se më mirë është të vdiset ndershëm – për liri se të jetohet turpshëm – në robëri.

Ai, sigurisht, nuk e ka lexuar Kartën e OKB-së, në të cilët flitet për të drejtën natyrore të vetëmbrojtjes individuale e kolektive, por i pari e mori pushkën për ta mbrojtur atë të drejtë të popullit të vet.

Në kundërshtim me të gjitha rregullat e lojës politike botërore, ai me shokët e tij vendos të sfidojë një armatë, një shtet, një opinion kombëtar, një opinion botëror.

Ai ka ndjenjë aq larghedhëse e instinkt aq paravajtës saqë para të gjithëve vendos të çohet në luftë kundër bartësve të një ideologjie pushtuese dhe kundër zbatuesve të një politike shtetërore terroriste në Kosovë, në kohën kur të tjerët këtu dhe në botë kërkojnë marrëveshje me ta.

Me një automat në dorë dhe me disa bomba në brez, ai me shokët e tij filluan ta bëjnë të pamundurën dhe, vërtet, e bënë të pamundurën – e ndërruan historinë e Kosovës.

Historia u dha të drejtë.

Ai me ta, me ata shokë, bëhet rrufe e madhe ndriçuese para motit të madh.

Kjo që kemi ne sot – Kosovën pa armën dhe pa administratën e pushtuesit serb, kjo ka filluar në zemrën e madhe të Adem Jasharit dhe është arritur me heroizmin vetëflijues të tij, të familjes së tij, të shokëve të tij, të UÇK-së dhe, më në fund, me përkrahjen e SHBA-së dhe NATO-s.

Bëma e Adem Jasharit është aq më e pazakonshme, sepse është njëkohësisht bëmë e familjes së tij.

Kallëzimi për të, prandaj, duket si një kallëzim imagjinar, si një nga ato kallëzimet e lashta, legjendare, në të cilat njeriu e kalon masën tokësore dhe përjetohet si mbinjeri.

Dhe, pse të mos duket i tillë kallëzimi për të?

Po ajo është familje që Kosovës ia fali të gjitha, ama të gjitha.

Ajo është familje që Kosovës i fali tokë e shtëpi, burra, gra e fëmijë.

Ajo është familje që Kosovës ia fali të gjithë brezat: gjyshërit e gjyshet, baballarët e nënat, nipërit e mbesat.

Ajo është familje që Kosovës ia fali gëzimet dhe shpresat, të sotmen dhe të nesërmen e vet.

Ajo është familje që Kosovës ia fali, ashtu, edhe lumturinë e atësisë e të amësisë së paarrirë të të rinjve e të fëmijëve të vet: të Fitimit 17-vjeçar, të Besimit 16-vjeçar, të Kushtrimit 13-vjeçar e Igballit 11-vjeçar, të Blerimit 12-vjeçar, të Selvetes 20-vjeçare, të Hidajetes 18-vjeçare, të Afetes 17-vjeçare, të Valdetes e të Liries 14-vjeçare, të Igballes 11-vjeçare, të Fatimes 8 dhe të Blerinës 7-vjeçare!

O!O!O! Ajo është familje që me përmasën e pamasë të dhembjes tragjike e të vetëflijimit heroik e lëkund çdo masë të ndjenjës e të mendimit njerëzor!

Ajo është familje - histori.

Në tri ditët e sakrificës së saj heroike ngjishen 90 vjetët e Kosovës nën pushtimin e Serbisë: ngjishen vuajtjet, përpjekjet, burgjet, vrasjet, masakrat, tragjeditë dhe heroizmat 90-vjeçare të popullit shqiptar në këto troje!

Dhe, me këto tri ditë, që ngjeshin 90 vjet, me këtë heroizëm aq të stisur tragjikisht, të shfaqur në kundërshtim me të gjitha ligjet e jetës së zakonshme, kjo familje i sjell ngritje madhështore shpirtit, moralit, vetëdijes, historisë së popullit shqiptar.

Dhe, kjo bëmë e ky ndikim bashkëmbartin ngritjen e familjes së Shaban Jasharit, që ka lindur e rritur Adem Jasharin, të familjes – Monument historik kombëtar.

Në këtë Monument vijnë sot shqiptarë e të huaj që të shohin ku ka filluar të ndërrohet historia e Kosovës; që të shohin sa i përbindshëm ishte sundimi pushtues serbë; që të shohin sa vetëflijuese ishte vendosmëria liridashëse e popullit shqiptar.

Në këtë Monument vijnë sot shqiptarë e të huaj që të shohin ku dhe si e rigjeti Kosova dinjitetin, fuqinë dhe ardhmërinë e vet.

Në këtë Monument do të vijnë brezat tonë të ardhshëm që ta shohin e ta mësojnë historinë: që të shohin e të mësojnë me çfarë dhembjesh të fundbotshme sakrifikuese e me çfarë heroizmash mbinjerëzore është bërë e lirë dhe e pavarur Kosova.

Fjala në akademinë përkujtimore me rastin e 2-vjetorit të sakrificës së lavdishme të Adem Jasharit dhe familjes Jashari, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, më 5.3.2000

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat