Gjykimi për vrajsen e Agonis Tetajt, të akuzuarit Isuf Cacaj i revokohet pranimi i fajsësisë për armëmbajtje pa leje

Aktuale

Gjykimi për vrajsen e Agonis Tetajt, të akuzuarit Isuf Cacaj i revokohet pranimi i fajsësisë për armëmbajtje pa leje

Më: 7 mars 2024 Në ora: 16:21

Në rigjykimin ndaj të akuzuarve Shaban Gogaj dhe Isuf Cacaj, të enjten iu revokua pranimi i fajësisë të akuzuarit Cacaj i bërë në shqyrtim fillestar dhe gjykimi është kthyer në shqyrtimin e provave.

Kjo pasi mbrojtësi i Cacajt, avokati Veton Berisha në fjalën përfundimtare tha se i mbrojturi i tij nuk ishte i informuar se për armën me gaz duhet leje e veçantë.

Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z., Kurse, Isuf Cacaj akuzohet për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit Berisha, nëse i mbrojturi i tij do ta dinte se duhej leje e veçantë nga organet kompetente, do ta posedonte atë.

Edhe vetë i akuzuari Cacaj tha se e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa presion apo ndikim, por që faktin se duhej të posedonte leje, e kishte mësuar pas ngritjes së aktakuzës.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova tha se meqenëse deklarimi i sotëm bie në kundërshtim me pranimin e fajësisë, nuk mund të përfundojë shqyrtimi pa u sqaruar me prova këto rrethana.

Paraprakisht, prokurori Isuf Sadiku në fjalën përfundimtare tha se qëndron pranë aktakuzës së parë të 12 qershorit 2019, dhe të rikonfirmuar në seancën e fillimit të rishqyrtimit gjyqësor.

Sadiku tha se në rishqyrtim është vërtetuar pa mëdyshje se i akuzuari Gogaj ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe se i akuzuari Cacaj, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokurori i propozoi gjykatës që me rastin e caktimit të sanksionit penal, të merren parasysh rrethanat rënduese.

Në rastin e të akuzuarit Gogaj, ai kërkoi të merret parasysh shkalla e përgjegjësisë penale, vepra e cila është kryer në vend publik, ku kishte shkaktuar shqetësim tek qytetarët, ndërsa si rrethanë lehtësuese për veprën e dytë kërkoi të merret mosha e re e të akuzuarit.

Prokurori Sadiku kërkoi që dy të akuzuarve t’iu shqiptohet sanksion penal i paraparë me KPRK, me të cilin do të arrihet qëllimi i dënimit.

Kurse mbrojtësi i viktimave, Luan Mehmetaj, deklaroi se gjatë rishqyrtimit gjyqësor është vërtetuar në tërësi dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Shaban Gogaj, është penalisht përgjegjës për veprën penale vrasje e rëndë.

Sipas tij, në këtë çështje asnjëherë nuk kishte anjë dilemë se kush është kryerës i kësaj vepre penale dhe se përgjegjësia penale e Gogajt ishte e plotë, pa asnjë të metë fizike, mendore, psiko-sociale apo sociale.

“Dëshmitë e ekspertëve të balistikës të dhëna para këtij trupi gjykus e vërtetojnë se kryerësi i kësaj vepre penale ishte ekspert në përdorimin e armës dhe se prej momentit të parë të hapjes së fiokut, nxjerrjes së armës, mbushjes së saj dhe shtirjes gjithçka ishte profesionale në kuptim të përdorimit të armës”, tha Mehmetaj.

Në fund, pasi kërkoi që dy të akuzuarit të dënohen, tha se paraqesin kërkesë pasurore-juridike në shumën 628 mijë euro.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Besnik Berisha tha se i mbrojturi i tij duhej të përballej përveçse me drejtësinë edhe me rrethanat në Qendrën e paraburgimit. Sipas tij, rruga e drejtësisë u përball me padrejtësi në mars të vitit 2021, ku u vazhdua me ricilësim të veprës penale “Vrajse e rëndë”.

“Marsi i vitit 2021, shënoi edhe një nga rastet më paprecedent të dëgjuara në drejtësinë kosovare, ku si rezultat i trysnisë së laikëve dhe opinionit publik në tërësi u çu në këmbë një Prokurori, diktoi shkeljen e ligjit dhe premtoi se do të sjelli prova të reja për mundësi vlerësimi dhe gjykimi, duke kërkuar nga gjykata që të mos e shpall të përfunduar gjykimin sepse sipas tyre kishin ndërruar prokurorin dhe kërkonin mundësi të reja për të ardhë tek e vërteta”, tha Berisha.

Ai tha se padrejtësia nuk ishte vetëm në rihapjen e këtij shqyrtimi të përfunduar me pranim fajësie, por padrejtësia tjetër u manifestua edhe në gjykatën e shkallës së dytë, të cilët sipas tij me një aktgjykim pa mbështetje në logjikë të shëndoshë juridike, pa arsyetimi ligjor e pa rekomandim se çfarë duhet të bëhet në rigjykim, anuluan aktgjykimin me pranim fajësie për shkak të sipas tyre mungesës së precizimit të dashjes në dispozitiv.

Berisha tha se Gogaj është i akuzuari i vetëm para dhe gjatë luftës që për vrasje nga pakujdesia dhe përdorim të armës 3 sekondësh, është nën masën e paraburgimit plot 5 vjet e gjysmë për çka se dënimi maksimal për vrasjen nga pakujdesia pa pranim fajësie e pa rrethana lehtësuese si për të akuzuarin Shaban është 5 vite.

Ai tha se Gogaj e ka pranuar fajësinë që nga dita e parë e rikualifikimit, nuk ka qenë i dënuar asnjëherë më parë për vepër penale të ngjashme apo të njëjtë, mosha e tij e re, lidhja e ngushtë me tani të ndjerin, që duhej të merrej si rrethanë lehtësuese e jo si vrasje.

Andaj, i kërkoi gjykatës që për shqiptimin e dënimit t’i marrë për bazë rrethanat lehtësuese dhe dënimi unik ndaj të mbrojturit të tij të reflektojë në atë se çfarë është konsoliduar në praktikë dhe në atë se çfarë ka vujatur Shaban Gogaj nën masën e paraburgimit.

Ndërsa lidhur me kërkesën pasurore-juridike, tha se ato shifra duhen të pohohen nga familjarët e Agonis Tetajt, bashkëshortja e tij, si dhe nëse të njëjtit janë pajtuar me besimin në drejtësi dhe vlerësimi i tyre që vepra ishte kryer nga pakujdesia.

“Unë që tani e konfirmoj që e njëjta do të ekzekutohet sapo të rikonfirmohen faktet e saktësisë së kërkesës, e pohimit dhe konfirmimit se janë bind dhe i besojnë drejtësisë se vrasja është kryer në pakujdesi e jo me dashje e djallëzi, për motive të shpifura dhe të shpikura, të ulëta e me qëllim njollosjeje jo vetëm të gjallëve por edhe tani të ndjerit”, tha avokati Berisha.

Ndryshe, më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar  me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt.

Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat