24 hektarët rreth Manastirit të Deçanit, Komuna ende pa përgjigje

Aktuale

24 hektarët rreth Manastirit të Deçanit, Komuna ende pa përgjigje

Më: 7 mars 2024 Në ora: 20:23
Manastiri i Deçanit

Tobi Gesler ka 10 vjet që merret me turizëm në Shqipëri, ndërsa Thomas Krempke me profesion është fotograf.

Destinacioni i dy zviceraneve që e flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe sot ishte Deçani, ndër të tjera edhe hapësirat e ish hotelit “Iliria”.

 “Vend i bukur interesant…”, tha Tobi Gessler, turist nga Zvicera.

“Rrënojat e objektit të sjellin të kaluarën…”, tha turisti tjetër zviceran Thomas Krempke.

Për vizitën tonë dhe incizimet me kamerë nuk na u dashtë asnjë leje, për dallim me refuzimin e kërkesës për të filmuar Manastirin e Deçanit, me arsyetimin se mediat nuk mund të filmojnë përpos turistëve.

Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit mund të bëhen edhe pronarë të tokës që e vizituam me turistët zviceran.

Rrënojat dhe pronat e ish hotelit rreth 500 metra larg Manastirit të Deçanit, sipas kadastrit komunal i përkasin ish ndërmarrjes hoteliere “Iliria”.

Këto prona bashkë me toka të tjera të ish ndërmarrjes për përpunimin e mjaltit “Apiko”, janë 24 hektarë tokë, për të cilat në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Qeveria ka zhvilluar bisedime me vetëqeverisjen lokale dhe aktorët përkatës në komunën e Deçanit me qëllim zbatimin e vendimit që ia jep 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit. Kjo synohet të ndodhë përpara sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që mund të mbahet në maj.

Përgjigja për këtë kërkesë ende nuk dihet publikisht.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se lidhur me tokat rreth Manastirit të Deçanit përmes një komunikate ose deklarate do t’i njoftojë mediat me qëndrimin e tij. Kjo sipas tij potencialisht mund të ndodhë nesër.

Miftar Januzajt që mbi 10 vite ka punuar në kompleksin e pushimores “Pishat e Deçanit”, i duket i pabesueshëm realiteti i krijuar për pronat që me një vendim të vitit 1997 pak para luftës i kaluan në pronësi manastirit.

“Aty kemi punu shumë punëtorë ka qenë hoteli, unë nuk e kuptoj…”, tha ish-punonjësi Miftar Januzaj.

Mendim të njëjtë ndajnë edhe historianët.

“Krijohet një precedent i keq edhe për kishën në kampus… është edhe imazh i keq për manastirin të marr tokë nga një vendim që është marrë në kohën e Millosheviqit”, ka thënë historiani, Shkodran Imeraj.

Nga Qeveria përkundër interesimit që nga e mërkura nuk kanë konfirmuar ose mohuar kërkesën për zbatim.

Dioqeza e Rashkës-Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë kanë deklaruar se askush nga institucionet e Kosovës nuk i ka kontaktuar as ata e as Manastirin e Deçanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat