Kurti: Politikat feministe po e përparojnë demokracinë

Aktuale

Kurti: Politikat feministe po e përparojnë demokracinë

Më: 8 mars 2024 Në ora: 10:38
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria që ai udhëheq përkrah politika feministe barazimtare, pasi sipas tij politika të tilla po e përparojnë demokracinë ngado.

Më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kurti tha se ekzekutivi ka marrë masa për të përmirësuar jetën e grave dhe vajzave duke u ofruar atyre shtesa, grante, bursa, vaksina e përkrahje tjetër.

“Politikat feministe po e ruajnë dhe po e përparojnë demokracinë ngado sot. Ato e kanë fituar luftën politike sepse tashmë nuk ka dyshime më se këto të dyja mund të ecin vetëm bashkë. Ky është edhe shteti për të cilin punojmë për çdo ditë, demokrat po, por edhe feminist gjithsesi”, tha Kurti gjatë një konference të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore për nder të 8 marsit.

Kryeministri kosovar tha se fuqizimi i pozitës së grave në shoqëri, e veçmas “forcimi i pozitës ekonomike të saj, janë ndër ndryshimet thelbësore që Qeveria jonë ka shtyrë përpara që nga fillimi i mandatit”.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka një hendek të madh sa i përket punësimit të grave dhe burrave. Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2023, flasin për vetëm 18.5 për qind të grave në moshë pune të punësuar, krahasuar me 51.5 për qind të burrave të punësuar.

LEXONI EDHE KËTË:

E drejta e prindërimit në duart e deputetëve

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, Kurti përmendi edhe çështjen e metodës së fertilizimit të asistuar të njohur si IVF.

Kjo temë ka shkaktuar debat në shoqëri, teksa Kuvendi i Kosovës që disa seanca po shtyn votimin për Projektligjin për shëndetin riprodhues, pas kundërshtimeve të disa deputetëve për IVF-in, metodë që u mundëson grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë.

“Për ne është çështje e vetëkuptueshme që gratë kanë autonomi të plotë mbi trupin e tyre, planifikimin familjar dhe lirinë për qasje të barabartë në shërbime shëndetësore”, tha Kurti.

Në Prishtinë, gjatë 8 marsit është paraparë të mbahet marshi i përvitshëm që organizohet nga Kolektivi “Marshojmë s’festojmë”. Vitin e kaluar, gjatë protestës më 8 mars ishte bërë thirrje për siguri ndaj grave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat