Valdete Daka: Vendimi i sotëm është anti-kushtetues, KQZ-ja e ka humbur plotësisht kredibilitetin

Aktuale

Valdete Daka: Vendimi i sotëm është anti-kushtetues, KQZ-ja e ka humbur plotësisht kredibilitetin

Më: 8 mars 2024 Në ora: 19:08
Valdete Daka

“KQZ-ja, sot e ka humbur plotësisht kredibilitetin”, tha sot Valdete Daka, ish-kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Daka, në një deklarim për median n të premten, tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer shkelje kushtetuese me caktimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.

Ish-kryetarja, të cilës presidentja Vjosa Osmani ia ndërpreu mandatin në krye të KQZ-së në qershor të vitit 2021, ka shprehur keqardhje për institucionin e zgjedhjeve “i cili deri më tani ka qenë kushtetues”.

“Unë jam shkarkuar pse e kam zbatuar një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq sot KQZ-ja e shkel vet Kushtetutën”, tha Daka të premten. “Ky vendim është anti-kushtetues dhe është për keqardhje që një institucion i cili deri më tani ka qenë kushtetues, sot e ka humbur plotësisht kredibilitetin”.

Sipas Dakës, komisioni të cilin ajo e ka drejtuar për 13 vite nuk ka asnjë kompetencë veprimi që burojnë jashtë Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, apo për ato Lokale.

Ajo i tha medias se vendimi i sotëm përbën precedent të ri: është hera e parë që KQZ-ja kalon kompetencat e saj dhe vendos vet për një çështje të cilën nuk e ka kompetencë.

“KQZ-ja të vetmen detyrë kushtetuese që e ka dhe kompetencë bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ato lokale, e ka bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ato Lokale, ndërkaq referendume të tilla të cilat janë parapa me udhëzimin administrativ, apo mbi Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nuk e ka kompetencë. KQZ-ja si institucion kushtetues është hera e parë që merr guximin të vendos vet për diçka për të cilën nuk e ka kompetencë”, u shpreh Daka.

Precedenti që ka vendosur sot KQZ-ja, ndonëse i dyshuar si anti-kushtetues, mund të çojë në votime të tjera për shkarkim të kryetarëve të komunave në jug.

“Kjo nuk ka ndodhë kurrë dhe është një precedent i rrezikshëm sepse sa herë që ka qejf dikush mund të iniciojë procedura për shkarkim të kryetarëve, dhe jo vetëm në veri sepse në udhëzim nuk thuhet se ky udhëzim përdoret për katër kryetarët e komunave në veri, por ky udhëzim mund të përdoret për të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës. Pra, sa herë që dikush ka qejf mund të iniciojë shkarkim të kryetarëve të komunave. P.sh kjo mund t’i ndodhë nesër edhe kryetarit të Komunës së Prishtinës”, tha ajo.

Sipas Dakës, shkarkimi i kryetarëve në katër komunat veriore momentalisht nuk mund të bëhet bazuar në ligjet aktuale në fuqi.

“Kjo situatë është praktikisht për momentin e pazgjidhshme”, tha ajo.

Daka theksoi se ende nuk ka një Ligj mbi referendumin dhe se një udhëzim administrativ nuk mund ta zëvendësojë Ligjin.

“Pra, nuk mundet sepse kjo i bie që cilado Ministri që e merr dhe e përpilon një udhëzim administrativ, mund t’ia japë një kompetencë KQZ-së dhe KQZ-ja pastaj të veprojë. Në mënyrë banale ta shpjegojmë, i bie kështu: Do të thotë, Ministria e Mjedisit thotë që KQZ-ja duhet ta bëjë një votim se a duhet të mblidhen lule në Prishtinë apo s’duhet dhe KQZ-ja pastaj të caktojë një votim se a duhet të mblidhen ato lule, apo jo”, tha Daka.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer shkelje kushtetuese me caktimin e datës për mbajtjen e votimit për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.

Të premten, KQZ-ja vendosi që votimit të mbahet më 21 prill.

Nga dhjetë anëtarë, përfshirë katër përfaqësues të partive opozitare, nuk e kundërshtuan procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në veri, ndonëse procesi dyshohet të jetë i paligjshëm dhe kundërkushtetues.

Votimi do të realizohet bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe udhëzimin administrativ për shkarkimin e kryetarëve në veri, të cilin e ka hartuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat