Atasheu britanik i Mbrojtjes në Kosovë: Ushtritë tona do të vazhdojnë të mbesin miq të ngushtë

Aktuale

Atasheu britanik i Mbrojtjes në Kosovë: Ushtritë tona do të vazhdojnë të mbesin miq të ngushtë

Më: 14 mars 2024 Në ora: 11:59
John Green

John Green, Atasheu i ri britanik i Mbrojtjes në Kosovë, ka thënë se ushtritë e dy vendeve do të vazhdojnë të mbesin miq të ngushtë.

Në një postim në faqen e re të krijuar në X (ish-Twitter), Green ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën.

“Kam qenë në këtë vend të bukur që nga dhjetori, dhe kam parë personalisht fuqinë e bashkëpunimit mbrojtës mes dy vendeve tona. Forcat e armatosura të vendeve tona mbesin miq të ngushtë, dhe kanë qenë që nga lindja e këtij vendi. Ky vit është natyrisht veçanërisht i rëndësishëm pasi shënon 25 vjetorin e intervenimit të NATO-s këtu, intervenim ku Mbretëria e Bashkuar pati rol udhëheqës”, tha nënkoloneli Green në një video-mesazh.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova kanë plane të mëdha për forcimin e bashkëpunimit të mëtejmë gjatë këtij viti.

“Aleanca më e suksesshme mbrojtëse në histori, NATO, përmes KFOR-it, ka ndihmuar të ofrojë ambient të sigurt në Kosovë që nga ajo kohë. Mbretëria e Bashkuar ka dëshmuar edhe një herë përkushtimin tonë si ndaj NATO-s ashtu edhe ndaj Kosovës, me zbarkimin e forcës rezervë strategjike në tetor. Vendet tona kanë plane të mëdha për të forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej më 2024”.

Nënkoloneli John Green, Atasheu i ri britanik i Mbrojtjes në Kosovë, tha se Ministria britanike e Mbrojtjes do të vazhdojë të mbështesë ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës me këshilla, trajnime dhe me pjesëmarrje në ushtrime të përbashkëta.

“Kjo, bashkë me mbështetjen tonë ndaj ofrimit të pajisjeve për Qendrën Ndërkombëtare për Trajnime për Kërkim-Shpëtim, do të kontribuojë në synimin tonë të përbashkët për të garantuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe në mbarë botën”, potencoi Nënkoloneli John Green.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat