KiE e konfirmon: Raportuesja Bakoyannis e prezanton opinionin për anëtarësimin e Kosovës me këtë datë në Paris

Aktuale

KiE e konfirmon: Raportuesja Bakoyannis e prezanton opinionin për anëtarësimin e Kosovës me këtë datë në Paris

Më: 15 mars 2024 Në ora: 12:51
Dora Bakoyannis

Pasi Qeveria lëshoi pe për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit tanimë në Këshill të Europës do të ketë një lëvizje në drejtim të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Raportuesja greke, Dora Bakoyannis, më 27 mars do të paraqesë raportin e saj për Kosovën në një mbledhje urgjente të Komitetit për Çështje Politike në Paris.

Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, ka konfirmuar që më 27 mars do të prezantohet raporti për Kosovën që përmban një draft-opinion.

“Në të vërtetë një mbledhje e Çështjeve Politike të Asamblesë do të zhvillohet më 27 mars në Paris, në të cilën zonja Bakoyannis synon të paraqesë raportin e saj që përmban një draft-opinion”, tha Divizioni për Komunikim i PACE.

Për këtë zhvillim një alarm e ngriti kryetarja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Biljana Pantić-Pilja, e cila shfaqi frikën e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatën e vjetër të të drejtave të njeriut.

“Sot u caktua një takim urgjent. Komiteti Politik i Këshillit të Europës e ka caktuar një takim të jashtëzakonshëm më 27 mars. Aty në rend dite është votimi i opinionit të raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE, pasi Kosova ia regjistroi pronën Manastirit të Deçanit. Sot u caktua një takim urgjent”, ka thënë për mediat përfaqësuesja e Serbisë atje.

Raporti i raportueses do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.

Kosova shpreson që ta ketë anëtarësimin më të shpejtë në këtë organizatë, pasi shumë vendeve që janë anëtarësuar u janë nevojitur shumë më shumë kohë. Sipas praktikës, Komiteti i Ministrave mblidhet një herë në vit.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022. Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Europës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Për raportin e raportueses greke, kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ku tregoi për kërkesën ndaj Agjencionit të Kadastrit tregoi që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të për Manastirin e Deçanit ka qenë kusht për Kosovën për t’u anëtarësuar në KiE.

“Raporti i ka listuar disa kushte ndër të cilat ka qenë edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Manastirin e Deçanit, të vitit 2016. Raporti është publik dhe mbetet një dokument që nuk mund të ndryshohet apo përjashtohet nga rruga jonë për në KiE; do mbetej aty si listë kushtesh sot, pas një viti, pas dhjetë vitesh.  Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve, na është bërë e qartë që nga shumë kushte që i kemi pasur për anëtarësim në Këshillin e Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo-urgjente, por njëri mbetet dhe nuk do të hiqet: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it, që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në KiE këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit dhe rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues i Republikës sonë”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat