KPM-ja do t’i shqyrtojë të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të Premier Ligës

Aktuale

KPM-ja do t’i shqyrtojë të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të Premier Ligës

Më: 18 mars 2024 Në ora: 12:04
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Bordit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti, ka deklaruar se se letra e fundit që Premier Liga ka dërguar në Prishtinë javën e kaluar, ka krijuar paqartësi të reja lidhur me të drejtat e transmetimit të Premier Ligës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimit të Bordit të KPM-së në Komisionin për Media, Mehmeti tha se do të vendosin shpejtë për të drejtat e transmetimit të Premier Ligës.

“Kjo letër na ka shtyrë neve që të kërkojmë prej operatorëve që kanë marrëveshje me Arenën, që t’i ri sjellin edhe njëherë autorizimet që kanë me Arenën sepse duam të jemi të sigurt që operatorët tanë kanë marrëveshje për transmetim të Premier Ligës në Kosovë”, tha Mehmeti.

Anëtari i KPM-së, Besnik Berisha, tha se KPM-ja do të shqyrtojë të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të Premier Ligës.

“Shkresa e fundit na i ka heqë dilemat, aty thuhet se Premier Liga nuk e ka autorizuar Arenën që t’ia jap transmetimin Art Motion, kjo shkresë do të merret parasysh dhe do të trajtohet nga KPM”, ka thënë Berisha.

Ndërsa anëtarja tjetër, Luljeta Aliu, tha se dyshimet janë qartësuar tashmë.

Ekziston dyshimi se të paktën nga ana e Arenës kjo ka qenë mashtrim, lajthitje, një çështje që duhet ta marrim shumë seriozisht, besoj qe në këtë moment nëse dëshmohet ky dyshim, atëherë nuk ekziston më ndonjë mirëbesim që Arena t’i ketë të drejtat që të ketë kanal në Kosovë, duhet të marrim hapat ligjor, që kjo të rregullohet”, tha Aliu.

Kurse kryetari i Komisionit për Media, Valon Ramadani i tha anëtarëve të KPM-së që pret veprim nga ta për këtë situatë.

“Disa çështje që u ngriten janë të qartësuara, sidomos a kanë pas të drejtë ose jo, ose a kanë pas konfirmim për transmetim, letra thotë qartë jo, për neve është shumë me të rëndësi veprimi juaj karshi këtij mashtrimi ndaj shtetit të Kosovës, prej Art Motion dhe Arena-s”, tha Valon Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat