“Serbia më afër NATO-s se Kosova”, deklarata e Hillit nxit reagime në Prishtinë

Aktuale

“Serbia më afër NATO-s se Kosova”, deklarata e Hillit nxit reagime në Prishtinë

Më: 20 mars 2024 Në ora: 23:23
Christopher Hill

Deklarata u dha në Beograd, por jehona e saj u dëgjua deri në Prishtinë.

Atë që një ditë më parë e tha në kryeqytetin serb ambasadori amerikan Christopher Hill se aktualisht Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova, pashmangshëm nxiti reagime në vendin ku aleanca ushtarake kishte ndërhyrë 26 vjet më parë për t’i dhënë fund regjimit serb.

Pavarësisht asaj që tha ambasadori amerikan, shefja e shtetit të Kosovës është e bindur se Serbia NATO-n mund ta sheh vetëm në ëndërr.

Madje, presidentja Vjosa Osmani i replikoi ashpër Hillit për këtë deklaratë.

“Ekziston vetëm një shtet më larg NATO-s se sa Serbia dhe ajo është Rusia. Një shtet si Serbia i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, lëre që është larg NATO-s por as që mendojë një ditë që të jetë pjesë e NATO-s. Kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s, ofendon viktimat e Serbisë së Millosheviqit”, ka deklaruar Osmani.

Por Christoper Hilli duhet të merret fort seriozisht sipas profesorit Milazim Krasniqi, i cili e konsideron ambasadorin si njeri tepër me ndikim në Departamentin Amerikan.

Krasniqi shton se deklarata të tilla janë edhe reflektim i nivelit të raporteve aktuale Kosovë-SHBA.

Ky është reaksion direkt ndaj këtyre zhvillimeve, dhe ndaj arrogancës që po manifeston qeveria Kurti në raport me kërkesat e shteteve të bashkuara të Amerikës, dhe në këtë aspekt ka rrezik që ky qëndrim amerikan të eskalojë në ditët dhe javëve në vazhdim nëse nuk ndalet ky naivitet politik i qeverisë tonë”, ka deklaruar Krasniqi.

Megjithatë, teknikisht Serbia është më afër NATO-s, sipas njohësit të sigurisë, Selam Shkodra, i cili thekson se shteti serb është edhe furnizues i ushtrisë së Ukrainës.

“Ata janë pjesë e partneritetit për paqe është në kuadër të NATO-s ne akoma s’kemi bërë hapa në atë drejtim, dhe ju duhet ta dini se kur SHBA-të si promotori kryesor i NATO-së deklarohet ashtu, mbase ka ndodhë diçka dhe ata mund të jenë më afër sesa ne”, ka thënë Shkodra.

I pyetur rreth kësaj deklarate, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier ka thënë se SHBA-ja e mbështet Kosovën dhe FSK-në, si dhe presin që Kosova të jetë anëtare e plotë e NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat