​Shileku-Shala: BQK-ja mbështet nismat që gratë ndërmarrëse të kenë përfshirje financiare

Aktuale

​Shileku-Shala: BQK-ja mbështet nismat që gratë ndërmarrëse të kenë përfshirje financiare

Më: 21 mars 2024 Në ora: 11:16
Pamje nga vendi i ngjarjes

Me moton "Kujdesu për paratë tua, siguro të ardhmen tënde", është duke u mbajtur sivjet edicioni i 12-të i Javës Ndërkombëtare të Parasë që organizohet nga Banka Qendrore e Kosovës.

Përmes aktiviteteve të ndryshme që po realizohen në kuadër të edukimit financiar, kjo nismë ka për qëllim t'i informojë qytetarët që në moshë të hershme dhe gradualisht të fitojnë njohuritë, aftësitë qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare dhe për të arritur mirëqenien dhe qëndrueshmërinë financiare.

Në konferencën "Qasja në financa për gratë ndërmarrëse", aktivitet i përbashkët i BQK- AMIK, zëvendësguvernatorja për funksione të përgjithshme në Bankën Qendrore të Kosovës, Nesrin Shileku-Shala ka thënë se angazhimi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në përfshirjen financiare të grave ndërmarrëse nuk është vetëm një objektiv, por është një investim në të ardhmen.

Shileku-Shala ka theksuar se me një qasje të shumanshme ndaj përfshirjes financiare, BQK-ja po kontribuon një të ardhme më të ndritshme ekonomike për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Shileku-Shala: BQK është e përkushtuar që të avancoj kornizën rregullative dhe infrastrukturën mbikëqyrëse

"Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të mandatit të saj kushtetues e ligjor, dhe përmes strategjisë së saj është e përkushtuar që të avancoj kornizën rregullative dhe infrastrukturën mbikëqyrëse me qëllim të harmonizimit me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Evropian dhe mbështetjes së nismave që rrisin qasjen në financa dhe qëndrueshmërinë", tha Shileku-Shala.

Duke folur për rëndësinë e grave që kanë në ndërmarrje, Shileku-Shala ka theksuar se arritja e përfshirjes financiare dhe qasjes në financa për gratë kërkon një përpjekje kolektive. Ndërsa ka nënvizuar se kontributi i institucioneve të sektorit financiar do të duhej të ishte më i madh në edukimin e grave.

Shileku-Shala: Kontributi i institucioneve të sektorit financiar do të duhej të ishte më i madh në edukimin e grave

"Gratë ndërmarrëse kanë nevojë për më shumë trajnime dhe aktivitete në këtë drejtim nga akterët e sektorit financiar dhe përtej. Kontributi i institucioneve të sektorit financiar do të duhej të ishte më i madh në edukimin e grave sa i përket edukimit dhe trajnimit për shërbimet dhe mundësitë financiare që do rriste edhe portofolat respektive të institucioneve financiare, dhe do të kontribuonte pozitivisht edhe në shëndetin e përgjithshëm financiar të sektorit", ka shtuar ajo.

Duke folur mbi adresimin e sfidave dhe pengesave që gratë ndërmarrëse përballen me bizneset e tyre, ajo tha se BQK-ja përmes programeve të Edukimit Financiar do të kontribuoj në informimin dhe edukimin e tyre.

Shileku-Shala: BQK ka të punësuar gjithsej 225 punëtor, prej të cilave 122 janë gra

“Kjo është në linjë me objektivin e 5-të të Planit Strategjik të BQK-së. Fakti që BQK tanimë përfaqësohet nga gratë si në bordin e BQK-së, ashtu edhe në bordin ekzekutiv, nënkupton përkushtimin e BQK-së jo vetëm për të avokuar për përfshirjen financiare të grave, por edhe për të dhënë shembull. Aktualisht BQK ka të punësuar gjithsej 225 punëtor, prej të cilave 122 janë gra”, tha Shileku-Sjala.

Në fund, zëvendësguvernatorja Shileku-Shala tha se BQK-ja do të përkushtohet në mbledhjen dhe publikimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë për qasjen në financa, të dhëna këto që do të ofrojnë njohuri të vlefshme për sfidat specifike me të cilat përballen gratë ndërmarrëse në Republikën e Kosovës.

Kryesuesi i Bordit të Asociacionit të institucioneve mikrofinanciare të Kosovës, Shpend Nura ka thënë se ndonëse është shënuar progres në vitet e fundit, gratë ende përballen me pengesa të konsiderueshme kur vjen puna te qasja në shërbime financiare, për çfarë tha se duhet të rriten përpjekjet për t’u siguruar që të gjitha gratë kanë mundësi të barabartë për të vepruar si sipërmarrëse.

Nura: Duhet t'i rrisim përpjekjet tona për të siguruar që të gjitha gratë kanë mundësi të barabartë për të vepruar si sipërmarrëse

"Fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm një detyrim moral është gjithashtu një investim strategjik në zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme të komiteteve dhe ekonomive tona. Megjithatë edhe pse është bërë progres në vitet e fundit, gratë ende përballën me pengesa të konsiderueshme kur vjen puna të qasja në shërbime financiare. Institucionet tona mikrofinanciare kanë dalë si katalizator të fuqishëm në adresimin e kësaj çështje. Duke ofruar produkte financiare të përshtatura me nevojat e sipërmarrëseve femra institucionet mikrofinanciare luajnë një rol të rëndësishëm në hapjen e potencialit tyre dhe nxitjen e pavarësisë ekonomike.... Përmes kredive të vogla institucionet tona fuqizojnë gratë për të filluar dhe zgjeruar bizneset e tyre, për të krijuar mundësi punësimi dhe për të kontribuar në prosperitetin e përgjithshëm të komuniteteve tona... Ne duhet gjithashtu të dimë se ka ende shumë punë për të bërë, duhet t'i rrisim përpjekjet tona për të siguruar që të gjitha gratë kanë mundësi të barabartë për të vepruar si sipërmarrëse”, tha Nura.

Për të shënuar këtë ngjarje, BQK ka organizuar aktivitete të ndryshme për gjatë gjithë javës. Fillimisht java ka filluar me nënshkrimin e një memorandumi të mirëkuptimit ndërmjet BQK-së, Shoqatës së Bankave të Kosovës, Asocacionit të institucioneve mikrofinanciare të Kosovës dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit, me anë të së cilit është themeluar Këshilli për Edukim Financiar, qëllimi i të cilit do të jetë koordinimi për avancimin e njohurive financiare në vend.

Java poashtu ka vazhduar me avancimin e një bashkëpunimi tjetër, me nënshkrimin e momerandumit të mirëkuptimit me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, me Fakultetin Ekonomik me qëllim që të kontribuohet në përmirësimin e njohurve ekonomike dhe financiare dhe bashkëpunimin për projekte të përbashkëta në fushën e ekonomisë, financave dhe edukimit financiar.

Ndërkaq, java përmbyllet me një seri të ligjëratave me nxënës në disa nga shkollat fillore dhe të mesme në vend.

Kujtojmë se, java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore botërore ndërgjegjësuese, e organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat