Inspektorati i Prishtinës i reagon Pecit: Lirimi i pronave të Ministrisë s’është përgjegjësi e jona

Aktuale

Inspektorati i Prishtinës i reagon Pecit: Lirimi i pronave të Ministrisë s’është përgjegjësi e jona

Më: 21 mars 2024 Në ora: 16:48
Faton Peci

Drejtori i Inspektoratit të Kryeqytetit, Florian Dushi, i ka reaguar ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, i cili sot ka akuzuar Komunë e Prishtinës për mos zbatim të vendimit të Gjykatës Komerciale për lirimin e një hapësire që i takon së Bujqësisë.

Dushi ka bërë me dije se lirimi i pronës në fjalë është përgjegjësi e ministrisë dhe jo e komunës.

“Mbrojtja dhe lirimi i pronave të ministrisë që udhëheq ministri është përgjegjësi e tij dhe e institucionit që ai drejton, dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kryeqytetin apo Inspektoratin e Kryeqytetit”, ka thënë Dushi.

Ai ka treguar se institucioni që ai drejton liron vetëm pronat publike të kryeqytetit.

“Inspektorati i Kryeqytetit mbron dhe liron, sipas autorizimeve ligjore, vetëm pronën publike – atë të Kryeqytetit. Pavarësisht kësaj, ne kemi qenë gjithmonë bashkëpunues dhe kemi organizuar disa takime me zyrtarët e Ministrisë për t’i ndihmuar në sqarimin e procedurave ligjore dhe veprimeve të nevojshme për lirimin e pronës së tyre. Ne ishim të gatshëm të asistojmë edhe përmes kompanisë sonë të kontraktuar për rrënimin e ndërtimeve pa leje, por kemi marrë udhëzime nga Zyra Ligjore e Kryeqytetit se kontrata jonë vlen vetëm për Komunën e Prishtinës dhe nuk mund të aplikohet për institucione të tjera.”, ka thënë Dushi.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka akuzuar Komunën e Prishtinës për sabotim.

Ai ka bërë me dije se kjo komunë nuk po dëshiron ta zbaton një aktgjykim të formës së prerë të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, për t’i liruar një hapësirë që i takon kësaj ministrie.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se i ka dërguar kërkesë Ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu, që të ndihmojë në implementimin e aktgjykimit në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat