Fejzullahu: Mund të jetë një rrezik potencial, një destabizilim i situatës me grupe të vogla në veri

Aktuale

Fejzullahu: Mund të jetë një rrezik potencial, një destabizilim i situatës me grupe të vogla në veri

Më: 21 mars 2024 Në ora: 19:24
Foto ilustrim

Kryeministri slloven, Robert Golob, shteti i të cilit bën pjesë në Aleancën veriatlantike ushtarake, shprehu gatishmërinë për të dërguar trupa shtesë në Kosovë, në kuadër të KFOR-it.

Lidhur me këtë dhe në përgjithësi situatës në Kosovë, eksperti i sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Fetah Fejzullahu, vlerëson se duke u bazuar në situatën e sigurisë globale që është lëkundur nga binaret, lufta Rusi-Ukrainë dhe ajo në Lindje të Mesme, e edhe duke u bazuar në kërcënimet e fundit të Serbisë karshi Republikës së Kosovës, është mëse e nevojshme që shtimi i trupave të NATO-s të jetë prezent në Kosovë.

“Në të njëjtën kohë, duke u bazuar në kërcënimet që i bëri vet presidenti serb Kosovës, nga ana e sigurisë mund të potencoj se mund të jetë një rrezik potencial, ku mund të ketë edhe një destabizilim të situatës me grupe të vogla”.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë kërcënim të kontestit vijë frontale, por kemi të bëjmë më shumë në kontestin e destabilizimit të situatës në veri me grupe të vogla, qofshin ato paramilitare apo rrobat civile e çfarëdo qofshin , pra mund të jenë prezente në Kosovë”, deklaroi Fejzullahu për emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Ai tutje shtoi se momentalisht KFOR-i me misionin e vetë në Kosovë i ka kapacitetet për reagim, për arsye se i ka dy komanda, lindje dhe perëndim.

“Pra, ka kapacitete të plota, mirëpo unë prapë se prapë mendoj që prezenca e trupave të NATO-s duhet të jetë më shumë në pjesën veriore të Kosovës, gjë që i kishte ndihmuar edhe institucionet tona të sigurisë, por të njëjtën kohë edhe kishte siguruar stabilitet, sepse nganjëherë pala e tretë di të ndërhyjë, në këtë rast institucionet e shtrira nga Serbia të bëjnë ndonjë viktimizim”, sqaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat