“Asnjëherë më çizmja e Vuçiqit nuk shkel në Kosovë”

Aktuale

“Asnjëherë më çizmja e Vuçiqit nuk shkel në Kosovë”

Më: 25 mars 2024 Në ora: 17:38
Aleksandër Vuçiq

Ismet Ibishi, ish-ushtarak, ka deklaruar se “çizmja” e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, më nuk do të shkelë në Kosovë, pavarësisht politikës së tij shoviniste e cila siç thotë Ibishi do të vazhdojë ndër breza.

Në emisionin “Five”, ku po diskutohet për kërcënimet e Serbisë, Ibishi shprehet i sigurt se nuk ka vend për shqetësime.

“Ne nuk duhet të na befasojë apo të merremi shumë se çka thotë Vuçiqi, ne duhet të ngrisim kapacitetet tona, të mbajmë gatishmërinë çdoherë, mbi të gjitha Kosova që nga viti 2012, është dashur të ngrisë kapacitetet e policisë rezervë. Kjo është një neglizhencë serioze dhe e mangët për sigurinë në Kosovë. Është forcë e cila garanton shumë dhe kushton pak. Nuk duhet të kemi asnjë lloj frike që mund të ndodhë ndonjë ndërhyrje. Në këto rrethana duhet t’i besojmë faktorit ndërkombëtarë. Asnjëherë më çizme e Vuçiqit e Millosheviqit nuk do të shkelë në Kosovë, por politikat e tyre shoviniste janë të njohura dhe po vazhdojnë, kanë apetite të tilla, ngrisin shqetësime te qytetarët gjë që i siguroj që nuk shoh vend për shqetësim. Organet tona të kenë një mobilizim”, tha ai.

Në anën tjetër, edhe Shkelzen Sopjani, ish inspektor i AKI-së, situatat e fundit nuk i sheh shumë shqetësuese.

Sipas tij, vigjilenca e zyrtarëve tanë policorë në veri është jashtëzakonisht e madhe.

“Sa i përket sigurisë në parim nuk e shoh shumë shqetësuese, sepse e kemi parë shumë herë. E pamë para pak ditësh u aprovua edhe kërkesa, u konfirmua ngritja e statusit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, shumë shpejt pritet edhe drita e gjelbër për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Sopjani derisa shtoi se ky veprim është në vazhdën e disa veprimeve të tjera të Serbisë.

“E pamë këtë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë e cila u mundua që kinse ndërlidhet me sulmin terrorist në Moskë, kjo nuk ka kurrfarë ndërlidhje sepse nuk cenohet siguria e Serbisë. Këta po mundohen t’i tregojnë partnerëve tanë që ne jemi në gjendje ta bëjmë edhe këtë por po tregohemi djem të mirë përkundër faktit se i kemi mundësitë, por nuk e shoh të mundshme që të ndodhë”, shtoi më tej ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat