​1660 ankesa nga qytetarët, Avokati i Popullit dorëzon raportin vjetor në Kuvend

Aktuale

​1660 ankesa nga qytetarët, Avokati i Popullit dorëzon raportin vjetor në Kuvend

Më: 29 mars 2024 Në ora: 16:41
Foto ilustrim

Avokati i Popullit ka dorëzuar sot raportin për vitin 2023 në Kuvendin e Kosovës, në të cilin paraqet gjendjen e të drejtave të njeriut dhe ofron një analizë të shkeljes së të drejtave të individëve apo grupeve shoqërore në vendin tonë.

Në vitin 2023, Avokati i Popullit ka pranuar 1660 ankesa nga qytetarët e Kosovës, me pohime ankimore për shkelje të të drejtave dhe të lirive të njeriut nga autoritetet publike në Kosovë.

Nga rastet e shqyrtuara gjatë këtij viti, autoriteteve u janë adresuar 836 rekomandime, nga të cilat 300 janë rekomandime nga hetimet e përfunduara në këtë vit, ndërsa 536 janë rekomandime të bartura nga viti paraprak, me afat zbatimi në vitin për të cilin raportohet.

Zvarritjet në procedurat gjyqësore përbëjnë numrin më të madh të ankesave të pranuara duke u mohuar qytetarëve të drejtën për gjykim të drejtë, ka bërë të ditur Avokati i Popullit.

Ankesat tjera kanë të bëjnë me të drejtën për mjete juridike, me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, me mbrojtjen shëndetësore dhe sociale, me mbrojtjen e pronës, me barazinë para ligjit, me të drejtat e të akuzuarit, me të drejtat e fëmijës etj.

Raporti përmban rekomandime për autoritetet përgjegjëse për çështjet që janë trajtuar nga Avokati i Popullit, por edhe opinione dhe propozime për ndërmarrjen e masave për të kontribuar dhe vetëdijesuar në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut.

Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e autoriteteve, raporti gjen se niveli i zbatimit është 28 për qind, dukshëm më i lartë se sa në vitet e kaluara, por megjithatë kërkohet më shumë angazhim për rritjen e zbatimit deri në arritjen e nivelit kur zbatohen të gjitha rekomandimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat