Dorëheqjet e policëve, kryesindikalisti Zeqiri: Policët mund të gjejnë punë në profesionin e tyre në Perëndim

Aktuale

Dorëheqjet e policëve, kryesindikalisti Zeqiri: Policët mund të gjejnë punë në profesionin e tyre në Perëndim

Më: 29 mars 2024 Në ora: 21:52
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri

Në tre muajt e parë të vitit 2024, 13 policë kanë dhënë dorëheqje. Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri vlerëson se dorëheqjet po bëhen për shkak të pakënaqësive që policët kanë me kushtet e punës.

Në intervistën e dhënë për media, Zeqiri tha se kanë frikë se nëse nuk përmirësohen kushtet e punës për policët dorëheqjet do të shtohen.

“Kemi shqetësim se nëse vërtet vazhdohet kështu me të njëjtat kushte me Policinë e Kosovës, dyshoj se do të kemi një fluks të dorëheqjeve dhe ikjes së zyrtarëve policorë në perëndim, apo edhe brenda vendit domethënë  me gjet veten, ku ata do të kenë një pagë më të dinjitetshme”, tha ai.

Kryetari i Sindikatës së Policisë, Zeqiri u deklaru edhe rreth asaj se sa mund ta gjejnë vetën policët jashtë vendit.

“Në realitet, sa mund ta gjejë Policia e Kosovës veten në perëndim, unë mendoj se nëse ndodh siç ka ndodhë me mjekët, e së fundit edhe me avokatët, të cilët veç janë deklaruar shtetet e Perëndimit se e njohin avokaturën. Domethanë edhe një avokat mund ta kryejë edhe profesionin e avokatit edhe në shtetet e Perëndimit, nëse kjo ndodh, që edhe zyrtari policor në profesionin e vet mund të kyqet si zyrtar policor në një në ndonjërin nga vendet e Evropës, atëherë kjo do të ishte edhe më shqetësuese. Sepse ndoshta këtu mund të kërkohet si kriter i vetëm njohja e gjuhës. Sepse ne kemi trajnime të brendshme edhe kemi trajnime jashtë vendit e që ato certifikata besoj që secili vend i Evropës do t’i njeh”, deklaroi ai.

Zeqiri bëri sërish apel që të plotësohen kërkesat e paraqitura nga sindikata, duke nisur nga shujtat ditore, shtesat në pagë, shtesat për rrezikshmëri, ligji për pensionim dhe kërkesat e tjera.

“Prandaj për mos me ardhë deri te kjo, unë prapë bëj apel që kushtet dhe mirëqenia në Policinë e Kosovës sa i përket të ardhurat personale të arrihet të bëhen sa më shpejt, duke i përfshirë normal edhe kushtet e tjera. Edhe shujtën ditore, të cilën shumica në Policinë e Kosovës nuk e marrin e që është kërkesë e sindikatës, edhe shtesat e tjera në pagë, siç e kemi shtesën për rrezikshmërinë në punë”, nënvizoi ai.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka paraqitur 14 kërkesa Ministrisë së Punëve të Brendshme për përmirësimin e kushteve të punës. Për këtë policët kanë protestuar para Qeverisë dy herë, ndërsa deri tani përkundër takimeve që kanë pasur me ministrin Xhelal Sveçla, ende nuk është arritur ndonjë pajtueshmëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat