Sveçla: Vuçiqi përdori Kosovën për të shkaktuar tensione në rajon – vendimi për dinarin normal, për një vend që aspiron të jetë në BE dhe NATO

Aktuale

Sveçla: Vuçiqi përdori Kosovën për të shkaktuar tensione në rajon – vendimi për dinarin normal, për një vend që aspiron të jetë në BE dhe NATO

Më: 1 prill 2024 Në ora: 15:08
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se situata në komunat veriore momentalisht e qetë por e brishtë për shkak të tensioneve të kohëpaskohëshme, por edhe për shkak të çasjes destruktive të Beogradit karshi Kosovës.

Ministri Sveçla tha se Vuçiqi dhe qeveria e tij kanë përdorur territorin e Kosovës që të shkaktojnë tensione.

“Situata në katër komunat e veriut të Kosovës është momentalisht e qetë, por e brishtë. E brishtë për shkak të tensionimeve të kohë pas kohshme, por edhe për shkak të një çasje destruktive të Beogradit karshi Kosovës, karshi kësaj zone, por edhe karshi edhe vetë qytetarëve tanë me kombësi serbe. Beogradi, konkretisht Vuçiq dhe qeveria e tij, varësisht prej politikave të brendshme të tyre, kanë përdorur serbët e Kosovës, kanë përdorur këtë territor që të shkaktojnë tensione jo vetëm për Republikës e Kosovës por tensione edhe në rajon e më gjerë. Duke dashur të shantazhojnë, së pari Kosovën, por edhe bashkësinë ndërkombëtare”, tha Sveçla.

Lidhur me çështjen e dinarit, Ministri Sveçla tha se vendimi është normal për një vend që aspiron të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s.

“Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, dhe duhet të jemi poashtu edhe një shtet normal, i pavarur dhe sovran. Nuk aspirojmë asgjë më shumë se sa të jemi një vend demokratik, ku rendi dhe ligji sundon. Dhe qoftë vendimi për dinarin, qoftë vendimet e mëhershme për targat, për energjinë elektrike, janë vendime më se normale të një vendi që aspiron të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s”, shtoi tutje Sveçla.

E pikërisht për dinarin, emisari evropian sot bëri të ditur se do të pres për takim në Bruksel sërish të enjten, kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Ai tha se shpreson se do të zgjidhen mosmarrëveshjet e mbetura.

“Java para pushimit të Pashkëve ka qenë një javë e shkurtër edhe pse intensive. Të hënën prita në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe të Serbisë, drejtorin Petkoviq, për të vazhduar diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Në përgjithësi, ka qenë një takim i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre”, ka shkruar Lajçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat