Konjufca e Açka: Angazhim më të madh ndërparlamentar mes dy vendeve

Aktuale

Konjufca e Açka: Angazhim më të madh ndërparlamentar mes dy vendeve

Më: 2 prill 2024 Në ora: 13:51
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, Ardian Gola, priti sot në takim Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të drejtuar nga Flutura Açka.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se në takim kryeparlamentari Konjufca vlerësoi lart bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmjet tyre, duke e konsideruar atë shembull për vendet e tjera në rajon.

Konjufca shprehu interesimin dhe gatishmërinë për t’i vazhduar marrëdhëniet e tilla me Tiranën zyrtare në të gjitha fushat, duke i kultivuar dhe intensifikuar më tej ato, në të mirë të të dyja vendeve, veçanërisht në rrafshin parlamentar.

Tutje sipas njoftimit, kryetari Konjufca theksoi nevojën e një dinamike të re të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, përfshirë këtu sferën e arsimit, si njërën nga shtyllat kryesore të zhvillimit, për të rezultuar me arsim cilësor dhe konkurrues në tregun global.  

Ndërkaq anëtarët e delegacionit parlamentar nga Shqipëria falënderuan Konjufcën për pritjen e ngrohtë dhe njëkohësisht shprehën interesimin e tyre për të rritur angazhimet në funksion të kooperimit sa më të madh ndërparlamentar midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Mes tjerash në takim u sugjeruan vizita më të shpeshta të ndërsjella të komisioneve parlamentare, për të kontribuuar sa më shumë si në përafrimin dhe avancimin e legjislacionit, ashtu edhe të këmbimit të përvojave parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat