Apetiti që s’u ngop, mishin e Brazilit e shet si mish Kosove

Aktuale

Apetiti që s’u ngop, mishin e Brazilit e shet si mish Kosove

Më: 2 prill 2024 Në ora: 19:56
Apetit Group

Një hulumtim i emisionit Stop vuri në pah sërish pangopësinë e kompanisë Apetit Group Sh.P.K.

Kompania që edhe në Kosovë ka bagazh të keq për shkak të së kaluarës, tani është zënë në flagrancë edhe në Shqipëri, për shkak se poshtë kufirit është shitur mish nga Brazili, ani pse në etiketa i shkruhej se është një i tillë nga Kosova.

Dhe paramendoni, në Kosovë ai vinte duke shfrytëzuar portet shqiptare si një nga pjesët e itinerarit që përshkonte mishi përkatës.

Por jo vetëm kaq. “Apetiti” raportohet të ketë falsifikuar edhe çmimin, për të mos paguar detyrimet ligjore sipas normave në fuqi.

Në jug veçse kanë filluar kërkesat që t’ia heqin të drejtën e importit kompanisë nga Vushtrria, në të cilën në vitin 2019 kishte ndodhur edhe një vrasje. Atëbotë, Armend Kutllovci, punëtor i kompanisë kishte humbur jetën.

Gjithnjë sipas mediumit që ka bërë edhe hulumtimin, vetëm në vitin 2023, Shqipëria importoi rreth 600 mijë kilogramë të këtij mishi.

Apetiti në burg

Në qershor të vitit 2022, Arben Ferizi, djali i njërit prej pronarëve të Apetit Group u kap në flagrancë po nga autoritetet shqiptare, për t’u çuar prapa grilave e për të filluar hetimet pas të njëjtit.

Asokohe, në kuadër të operacionit anti-drogë të koduar “Tranziti”, u sekuestruan 45.5 kg kokainë në një kontejner që vinte nga Brazili.

Sasia e kokainës vinte tranzit nga Brazili për në Maqedoninë e Veriut, dhe siç njoftohej u kapë falë informacioneve që dispononte Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, ndërsa dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Kontejneri ku ndodhej lënda narkotike ishte i mbushur me mish pule. Si rezultat i kontrollit të kryer, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.

Përveç Ferizit, u pat arrestuar edhe një doganier, saktësisht Egert Vargu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat